Fati është pjesë e lojës dhe Tirana e kishte në anën e saj atë në ndeshjen e sotme me Laçin, ku fitoi 2-0 dhe të dy golat u shënuan nga vetë kundërshtari në pjesën e dytë. Me këtë fitore skuadra e Shehit merr përkohësisht kryesimin, me 8 pikë, ndërsa kurbinasit mbeten në fundin e tabelës, me vetëm 2 pikë.
Tirana e nisi vrullshëm ndeshjen në “Selman Stërmasi”, duke kërkuar golin me Seferin dhe Ngo, por edhe Laçi u përpoq dhe rrezikoi me Delin, Guindon dhe Zarubicën. Kryeqytetasit pretenduan edhe për një penallti, pas një faulli ndaj Seferit në zonë, por gjyqtari vazhdoi lojën.
Në pjesën e dytë rezultati u zhbllokua nga autogoli i Roganoviç, pas një aksioni të Tiranës nga e djathta. Sikur të mos mjaftonte kjo, Laçi shkaktoi edhe një autogol tjetër çerek ore para fundit të ndeshjes, këtë herë me Ignjatoviç që e çoi topin në rrjetën e tij. Për Tiranën ishte një fitore shumë e rëndësishme para ndërprerjes së kampionatit, ndërsa për Laçin kjo humbje mund të ketë pasoja, edhe pse jemi ende në javën e 4-t.
Abissnet Superiore, java e 4-t
Sot, ora 13:45
Tirana-Laçi 2-0
Ora 16:45
Kukësi-Teuta
Të shtunën
Egnatia-Kastrioti 2-1
Skënderbeu-Vllaznia 0-0
Të premten
Dinamo-Partizani 1-1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




