Gazeta Si – Tre persona kanë rënë në pranga në Durrës, të dyshuar si autorë të disa vjedhjeve. Mësohet se të arrestuarit, të moshave 26, 32 dhe 55 vjeç, vepronin si grup dhe mbanin në vëzhgim banesat e biznesmenëve dhe të shtetasve me funksione publike, që t’i kryenin vjedhjet kur nuk kishte njerëz në to.
Hetimet nisën pas denoncimit të disa qytetarëve se në banesat e tyre, në lagjet e ndryshme të qytetit, iu kishin vjedhur para dhe sende me vlerë.
U sekuestruan rreth 115 000 lekë, bizhuteri dhe aksesorë të tjerë të vjedhur, si dhe veshje të përdorura nga të arrestuarit, gjatë vjedhjeve, 2 celularë dhe 3 automjete.
Ata përdornin shkallë dhe litarë për t’u ngjitur në katet e pallateve dhe më pas hynin nëpër banesa. Policia njofton se tre të arrestuarit kanë kryer shtatë vjedhje, mes tyre edhe banesën e një gjyqtareje.
Kamerat e sigurisë kanë kapur momentet e grabitjes, kuë një ndër to është edhe një rast kur grabitësi ngjitet nëpërmjet tubit.
Sipas asaj që njofton policia, një prej shumave më të mëdha që vodhën ishte shifra e 11 mijë eurove dhe bizhuterive, vlera e të cilave shkonte në 5 mijë Euro.
Vjedhjet e kryera:
-më datë 05.06.2023, kanë vjedhur në banesën e një gjyqtareje 3 çanta dhe 3 000 euro;
-më datë 16.10.2022, kanë vjedhur në një banesë 40 000 lekë dhe 2 bizhuteri floriri;
-më datë 21.01.2023, kanë vjedhur në një banesë 11 000 euro dhe bizhuteri me vlerë 5000 euro;
-më datë 09.05.2023, kanë vjedhur në një banesë 1 000 000 lekë dhe bizhuteri me vlerë 200 000 lekë;
-më datë 15.07.2023, kanë vjedhur në një banesë 4000 euro dhe 150 000 lekë;
-më datë 31.08.2023, kanë vjedhur në një banesë 1500 euro;
-më datë 30.09.2023, kanë vjedhur në një banesë 100 000 lekë dhe bizhuteri floriri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


