Gazeta Si – Dy 18-vjeçarë janë arrestuar, pasi dyshohet se sillnin lëndë narkotike, nga Britania e Bashkuar në Shqipëri.
Policia njofton se në pranga kanë rënë të rinjtë, M. V., 18 vjeç dhe D. Sh., 18 vjeç, banues në Tiranë, dhe akuzohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Adoleshentët janë vënë në pranga te “Rreth Rrotullimi” në Plepa në Durrës në kuadër të operacionit të koduar ‘Green Mail 2”.
Nga hetimet ka rezultuar se këto dy pako me lëndën narkotike kanë ardhur nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat erdhën me postë (Koli Post) në Tirana dhe më pas kanë shkuar në filialin e postës në Durrës.
Në vendin e quajtur “Rrethrrotullim”, Plepa, Durrës, policia kontrolloi në taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës, shtetasi D. Sh.
Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 340 gramë.
Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre është shtetasi M. V., i cili ka dërguar shtetasin D. Sh. për t’i marrë pakot nga vendi i mbërritjes (Durrës) dhe për t’i sjellë në Tiranë.
Ky është operacioni i dytë policor i zhvilluar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga Mbretëria e Bashkuar.
Operacioni policor i koduar “Green mail” u zhvillua më 30 qershor 2022 dhe si rezultat u sekuestruan rreth 1.3 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga 2 shtetas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




