Euro 2020

Italia kampione e Europës. Anglia dështon te penalltitë (video)

Në Europianin e penalltive ka triumfuar Italia. Fati ishte me të edhe në finalen me Anglinë, që u mbyll në barazim 1-1 dhe duheshin penalltitë për fituesin. Fat për Italinë, që ka një portier si Donaruma, i cili priti penalltitë e Sanço dhe Saka, ndërsa Rashford goditi shtyllën. Për Italinë gabuan Beloti dhe Zhorzhinjo, por shënuan Berardi, Bonuçi dhe Bernardeski. Një titull i merituar për Italinë, ndërsa Anglia duhet të presë ende për një trofe.

As vetë anglezët ndoshta nuk u kanë besuar syve, kur pas 2 minutash e panë veten në avantazh. Shou shfrytëzon një top të krosuar nga e djathta nga Tripier dhe e dërgon në rrjetë. Goditje e fortë psikologjike për Italinë, që përpiqet të reagojë, por pa shumë qartësi në sulmet e saj. Kieza ka më shumë iniciativë dhe në një aksion personal i afrohet barazimit, teksa gjuajtja e tij shkon shumë afër shtyllës.

Insinje ka një mundësi të mirë me një goditje dënimi në hyrje të zonës, por nuk gjen kuadratin sapo nis pjesa e dytë. Pas këtij momenti ai merr rolin e 9-të false, sepse Mançini ul në stol Imobilen dhe aktivizon Berardin. Po ashtu, në fushë edhe është edhe Kristante në vend të Barelës së ndëshkuar me karton të verdhë. Anglezët bëjnë lojën e tyre të zakonshme dhe Sterling pretendon për një penallti, pas një kontakti me Kielinin, por Kuipers vazhdon lojën.

Italia përpiqet dhe sërish protagonist është Kieza, që gjuan tokazi dhe gjen Pikford në gatishmëri. Barazimi do të vijë në minutën e 67-të, kur Bonuçi, gjatë ekzekutimit të një goditjeje këndi, e shtyn topin në rrjetë. Pas minutës së 70-të, Southgejt nis me ndërrimet, duke hedhur në fushë Saka për Tripier dhe Henderson për Rajs.

Pesë minuta para fundit Kieza detyrohet të lërë fushën për shkak dëmtimi dhe vendin e tij e merr Bernardeski. Sapo nis shtesa e parë, Mançini zëvendëson Insinjen me Belotin, pak minuta me vonë edhe Lokateli në fushë për Verratin. Kielini mbyll mirë një aksion të rrezikshëm të anglezëve nga e majta me Sterling. Grealish tek Anglia zë vendin e Maunt dhe vendësit shtyjnë më shumë përpara, por pa rezultat.

As shtesa e dytë nuk ndryshon asgjë në rezultat, me lojën që përqendrohet në mesfushë. Në fund Southgejt fut në fushë edhe Rashford dhe Sanço, duke larguar Henderson dhe Uollker, kuptohet me qëllimin për më shumë saktësi te penalltitë. Janë ato që kanë përcaktuar fituesin e finales maratonë të “Wembley”-t. Dhe fati i buzëqeshi Italisë. Penalltitë e Anglisë ishin një dështim total.

Itali-Angli 4-3 (1-1)
Italia: Donaruma, Kielini, Bonuçi, Di Lorenco, Emerson Palmieri (Florenci), Zhorzhinjo, Barela (Kristante), Verrati (Lokateli), Kieza (Bernardeski), Insinje (Beloti), Imobile (Berardi). Trajner: R.Mançini.
Anglia: Pikford, Meguajër, Stons, Uollker (Sanço), Rajs (Henderson, Rashford), Filips, Shou, Tripier (Saka), Maunt (Grealish), Sterling, Kejn. Trajner: G.Southgejt.
Arbitër: Kuipers (Holandë)
Shënues: Shou 2’, Bonuçi 67’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë