Ndeshja hapëse e javës së dytë të Abissnet Superiores mes Dinamos dhe Laçit ka përfunduar në barazim 1-1, por gjatë saj ka ndodhur thuajse gjithçka. Dy gola, gol i anuluar për kryeqytetasit, autogol i kurbinasve, pretendime për penallti dhe në fund nga një pikë për secilën skuadër. Blutë marrin përkohësisht kryesimin, me 4 pikë pas 2 ndeshjesh.
Dinamo udhëhiqte 1-0 deri në minutën e fundit të kohës së rregullt, pas autogolit të Shehut. Një gjuajtje nga distanca e Roganoviç ka barazuar shifrat, duke i hequr 2 pikë të çmuara skuadrës së Bledi Shkëmbit. Një gol, që është konfirmuar nga VAR-i, pasi një lojtar i Laçit ka qenë në trajektoren e topit, duke interferuar te portieri Harizaj.
Portieri i bluve u bë protagonist me disa pritje të bukura. Duhet theksuar se Dinamos iu anulua për pozicion jashtë loje një gol i shënuar nga Sofranak në fundin e pjesës së parë. Një rast që ka ngritur shumë dyshime. Po ashtu, te Dinamo kanë pasur pretendime edhe për një penallti, pas një kontakti të një mbrojtësi laçian me Rimal Haxhiun.
Java e dytë e kampionatit vazhdon të shtunën me sfidat Skënderbeu-Partizani dhe Vllaznia-Teuta, kurse të dielën luhen ndeshjet Tirana-Egnatia dhe Kukësi-Kastrioti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




