Gazeta Si – Një tjetër rast i rëndë i dhunës në familje është zbuluar në një fshat të Vaut të Dejës në qarkun Shkodër.
Një 50-vjeçar, Petrit Lufi, ka dhunuar dhe kanosur gruan dhe katër fëmijët e mitur. Pas denoncimeve, policia ka vepruar menjëherë duke vënë në pranga babanë agresor.
Nga kontrollet, u gjetën dy mjete prerëse, një thikë dhe një sëpatë, me të cilat 50-vjeçari kanoste me jetë familjen e tij.
“Pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se një shtetas dhunonte dhe kanoste bashkëshorten dhe 4 fëmijët e mitur, në banesën e tyre, në fshatin Toplane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje. Si rezultat është kapur në flagrancë dhe është vënë në pranga autori i rastit, Petrit Lufi, 50 vjeç. Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2 mjete prerëse (sëpatë dhe thikë), me të cilat i arrestuari kanoste për jetën, bashkëshorten dhe fëmijët”, tha policia e Shkodrës në një njoftim për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



