Incidenti i dhunshëm fizik i policisë malazeze ndaj Petraq Milos, ish-këshilltar i kryeministrit Berisha, tashmë përfaqësues politik i Partisë së Lirisë më 15 janar në pikën kufitare të Sukobinës ka shkaktuar përplasje të forta politike në Malin e Zi.
Fillimisht për ngjarjen reagoi partia shqiptare Alternativa, e cila e dënoi ashpër aktin.
Video e dhunimit të policit malazez u bë virale, e kjo bëri të ndërmerren menjëherë veprimet ligjore duke penalizuar dy policët e përfshirë. Televizoni shtetëror malazez bëri të ditur se ushtruesi i detyrës së prokurorit në ZDT në Ulqin, siç mësohet jozyrtarisht, ka urdhëruar arrestimin e dy policëve që dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më 15 janar në pikën e përbashkët kufitare Sukobin – Muriçan. Ata janë policët D.Š. dhe N.B.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiç, duke folur për rastin me policinë kufitare, ka thënë se MPB-ja ka nisur të gjitha procedurat ligjore.
Nëse ka elementë, ai i bën thirrje prokurorisë që të përfshihet në ngjarje. Më herët, Komisioni i Etikës njoftoi se një video e asaj ngjarje u shfaq në media më 17 janar dhe se po atë ditë kryetari i atij organi u dërgoi anëtarëve një iniciativë për të vlerësuar etikën e veprimeve të punonjësve të policisë së Sektorit të Policisë Kufitare.
Por ministri i Brendshëm në shkresën informuese drejtuar Genc Nimanbegut, presidentit të partisë tjetër shqiptare, Forca e Re Demokratike, ka fajësuar edhe vetë Petraq Milos dhe djalit të tij, Akil Milos, pasi sipas tij, ata nuk iu përgjigjen thirrjes për t’u futur në korsi e kërkuar nga policia.
Kjo përgjigje e ministrit të Brendshëm nuk i ka pëlqyer kësaj partie aleate me partinë Ura të kryeministrit Dritan Abazoviç.
“Vetë fakti që u deshën plot 35 ditë për të marrë masa për këtë rast nën presionin e videos së publikuar, tregon që kemi pasur në skenë një fshehje dhe tendencë për mbulim të këtij rasti. Në ndërkohë, pa dhënë arsye të qarta, siç flitet për një lëshim skenografik, është ndërruar kryeshefi shqiptar i Stacionit së Policisë në Ulqin”, thuhet në reagimin e kësaj partie. Ndërsa kërkohet dorëheqja e mënjëhershme e ministrit të Brendshëm.
“Duke pasur parasysh që ministri është mysafir i shpeshtë i Ulqinit dhe se kjo sjellje dhe kjo mënyrë e procedimit tregon ose paaftësi ose tendenca e strategji të tjera, duke e pasur parasysh edhe faktin që ne kemi partneritet në nivel lokal me URA, Forca e Re Demokratike e fton ministrin Filip Axhiç për të dhënë dorëheqjen dhe kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviçqë ta shkarkojë atë në shenj vendosmërie që asnjë qytetar e mysafir i Ulqinit nuk mund të keqtrajtohet nga policët si dikur në Gazivodë”, thuhet në këtë deklaratë.
Për këtë incident të dhunimit fizik të Milos, ka reaguar edhe kryeministri Dritan Abazoviç. Ai tha se ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate. Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikim.
“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikimit dhe radhët”, tha Abazoviç.
Ai tha se shpërndarja e videove në këtë kohë lidhet me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, që pritet të mbahen muajin e ardhshëm.
“Derisa i afrohemi 19 marsit, prisni shumë më shumë video, grafitë, nacionalizëm, tensione, një atmosferë të keqe në raport me boshnjakët, shqiptarët, pakicat”, tha Abazoviç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




