Sfida e “Old Trafford”-it ka përfunduar me fitoren 0-2 të Mançester Sitit, pas një autogoli të Beilit dhe një goli të Bernardo Silvës në pjesën e parë. Pas kësaj humbjeje, trajneri i “Djajve të kuq”, Ole Gunar Solskjaer, rrezikon shumë vendin e punës.
Guardiola dhe të tijtë i kanë dhënë një leksion të mirë Mançester Junajtid, duke marrë 3 pikë që e ngjitin Sitin në vend të dytë në Premier Ligë, pas Çelsit dhe para Liverpulit, që nuk e kanë zhvilluar ende ndeshjen e javës së 11-të.
Derbi u zhbllokua që në minutën e 7-të, kur një kros i Kanselos u devijua nga mbrojtësi Beili drejt portës së tij.
Portieri De Gea e mbajti në lojë skuadrën e tij gjatë pjesës së parë me të paktën tri pritje shpëtimtare, por gjithashtu bëri një gabim në minutën e 45-të, që solli golin e dytë të “qytetarëve”.
Gjatë pjesë së dytë Mançester Junajtid nuk mundi në asnjë moment ta rihapte ndeshjen, ndërsa Ronaldo mbeti i izoluar. Interesant është fakti se trajneri Guardiola nuk bëri asnjë zëvendësim në këtë ndeshje. Siti ka 23 pikë pas 11 ndeshjesh, kurse Junajtid 17 pikë, që e mbajnë në vend të 5-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




