Futboll

Video/ Derbi nën thundrën e Lautaro Martinez, Interi në finale të Kupës së Italisë

Gazeta Si – Interi është finalisti i parë i Kupës së Italisë 2021/22. Në ndeshjen gjysmëfinale të kthimit ndaj Milanit, djemtë e Simone Inzagit fituan 3-0, ndërsa sfida e parë kishte përfunduar në barazim, 0-0.

Me 2 gola të Lautaro Martinez dhe golin e parë me fanellën zikaltër të Gosens, Interi ka triumfuar në derbi dhe në finale do të ndeshet me fituesin e çiftit Juventus-Fiorentina.

Lautaro Martinez i hapi rrugën fitores së Interit vetëm pas katër minutash lojë, kur mposhti Maignan me një gjuajtje potente brenda zonës. Argjentinasi dyfishoi që në pjesën e parë, pasi i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes së Milanit dhe nuk gaboi përballë portierit francez.

Në pjesën e dytë, trajneri Pioli bëri lëvizjet e tij, duke freskuar skuadrën. Një moment kyç ishte ai i minutës së 70-të, kur Benaser shënoi për Milanin, por arbitri e anuloi golin për pozicion jashtë loje të Kalulu. Një episod që krijoi shumë polemika. Gosens më pas trefishoi për Interin, duke vulosi fitoren e thellë të zikaltërve.

INTER-MILAN 3-0
Interi: Handanoviç, Shkriniar, De Vrij, Bastoni (D’Ambrozio), Darmian, Barela, Brozoviç, Çalhanoglu (Vidal), Perisiç (Gosens), Korrea (Xheko), Martinez (Sançez). Trajner: S.Inzagi.
Milani: Maignan, Kalabria (Gabia), Kalulu, Tomori, Hernandez, Benaser (Kruniç), Tonali (Diaz), Saelemaekers (Mesias), Kesi, Leao (Lazetiç), Zhiru. Tarjner: Pioli.
Arbitër: Mariani
Shënues: 4′, 40’ Martinez, 82’ Gosens


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë