Futboll

VIDEO/ Champions League, është i CR7 goli më i bukur i sezonit

Është i Cristiano Ronaldos goli më i bukur i Champions League edicioni 2019/20. Kampioni i Juventus është vlerësuar nga Uefa për golin e 2-1 të shënuar kundër Lyon në ndeshjen e kthimit për 1/8 e turneut, një kryevepër nga distanca që përfundoi në kryqëzimin e shtyllave, por që nuk i mjaftoi bardhezinjve për të kaluar raundin. Në podium, në përfundim të sondazhit që ka përfshirë më shumë se 400.000 tifozë nga çdo vend i planetit, është edhe perla e Cuadrados kundër Atletico Madrid, që është zgjedhur si goli i tretë më i bukur pas atij të shënuar nga Sabitzer (Leipzig) kundër Zenit San Petersburg.

Një çmim tjetër do të jepet nga juria teknike e Uefa-s, por ndërkohë Cristiano i gëzohet zgjedhjes së tifozëve, që e kanë kurorëzuar edhe një herë mbret, pavarësisht ecurisë jo brilante të Juventusit të tij.

Jashtë podiumit e ka mbyllur Luis Suarez, falë golit të shënuar kundër Inter në fitoren 2-1 të Barcelonës në 2 tetor, ndërsa në vendin e 5 është pozicionuar Serge Gnabry i Bayern Mynih, me golin që zhbllokoi gjysmëfinalen kundër Lyon, që më pas përfundoi 3-0 për bavarezët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë