Futboll

Video/ Broja tregon klasin e lartë në Premier Ligë, gol si një sulmues kalibri

Armando Broja është një sulmues kalibri, kjo as që vihet më në diskutim. Sulmuesi i Kombëtares ka treguar klas të jashtëzakonshëm në golin që shënoi sot për Southemptonin, i treti për të në Premier Ligë.

Futbollisti 20-vjeçar e nisi titullar ndeshjen me Brajtonin dhe pa u mbushur gjysmë ore lojë, e kaloi skuadrën e tij në avantazh. Ishte një realizim shumë i bukur teknik nga ana e Brojës, i cili, pasi mori një top nga Redmond, u fut në zonë, la në vend mbrojtësin kundërshtar me një drblim të thatë dhe me një gjuajtje me të jashtmen, e dërgoi topin në rrjetë. Një realizim prej një sulmuesi të nivelit të lartë.

Janë këta gola që e kanë bërë sulmuesin shqiptar një prej lojtarëve më të dashur te Southemptoni, kurse drejtuesit e Çelsit po fërkojnë duart, teksa shohin që Broja po rritet ndjeshëm këtë sezon. Broja la fushën në minutën e 80-të të ndeshjes, ku Southemptoni mori vetëm një pikë, pasi u barazua në kohën shtesë.

Me këtë formë që po tregon në Premier Ligë, në kampionatin më të fortë në botë për momentin, Broja pa diskutim që do të jetë një lider i Kombëtares në sulm. Është vetëm 20 vjeç dhe emri i tij tashmë ka marrë vëmendje të madhe në Angli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë