Gazeta Si – Pak ditë para inagurimit të bazës ajrore të Kuçovës në 4 mars, e cila do të jetë një bazë taktike e NATO-s, publikohen pamjet e para.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar pamje, është shprehur se kjo bazë do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s.
Sipas Peleshit, ky hap shënon një fazë të re në forcimin e kapaciteteve tona për bashkëpunim ndërkombëtar dhe siguri rajonale.
“Edhe pak ditë nga përurimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, e cila do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s. Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës. Ky hap shënon një fazë të re në forcimin e kapaciteteve tona për bashkëpunim ndërkombëtar dhe siguri rajonale”, shkruan Peleshi në Facebook.
Sipas Gjeneral brigade Ferdinand Dimo, ka qenë vendimmarrja e shtetit bshqiptar dhe e NATO-s në vitin 2018 për ta kthyer këtë bazë në një bazë taktike të Aleancës, ndërsa më 4 mars të këtij viti ajo është plotësisht efektive.
“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, sqaron Komandanti i Forcës Ajrore.
Gjeneral brigade Ferdinand Dimo sqaron funksionet që do të kryhen nga kjo bazë. “Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”.
Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë qarkut të Beratit. “Ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë hapësirën e qarkut të Beratit”, shprehet Gjeneral brigade Ferdinand Dimo.
Baza Ajrore e Kuçovës do të inaugurohet më 4 mars, sipas planit të parashikuar. Në ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.