Në Bruksel është duke u zhvilluar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit europian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Takimi po zhvillohet me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell. Fillimisht, Borrell ka mbajtur takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç. Tashmë janë publikuar edhe pamjet pak para nisjes së takimit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiçit ku i pranishëm është edhe ndërmjetësuesi i emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
“… t’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Twitter.
Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.
Takimi i sotëm në Bruksel është thirrur një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë – vendosjes të gjobave prej 150 eurosh për shoferët me targa ilegale.
Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë gjobat, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




