Futboll

Video/ Bollëk golash në Elbasan, festa e gjitha për Teutën

Pesë gola dhe dy përmbysje rezultati, madje brenda pjesës së parë. Gjithashtu VAR, penallti, gol i anuluar për Kukësin dhe dy kartonë të kuq (Gj.Taipi për Kukësin dhe Daja për Teutën). Në fund e gjitha festa ishte për kampionët në fuqi të Teutës, që kanë mundur 2-3 Kukësin në “Elbasan Arena”.

Pjesa e parë ishte vërtet spektakolare dhe këtë e tregojnë 5 golat e shënuar. Teuta kaloi e para në avantazh me Aleksin, në zhvillimet e një goditjeje këndi. Kukësi barazoi shpejt me brazilianin Feijao dhe pastaj gjeti edhe avantazhin me një penallti të akorduar nga VAR-i dhe të kthyer në gol nga kapiteni Gjerlbërim Taipi.

Spektaklin e ndeshjes e kompletuan pastaj dy gola të shpejtë të Teutës, i pari me Sebino Plakun dhe i dyti, që i dha edhe fitoren Teutës, nga Koubemba. Durrsakët e ruajtën deri në fund rezultatin 2-3 dhe regjistruan kështu fitoren e dytë në kampionat, pas asaj me Partizanin. Me sa duket, stadiumi “Elbasan Arena” u sjell fat kampionëve, të cilët tashmë kryesojnë bashkë me Tiranën, me 8 pikë pas 4 javësh.

Në anën tjetër, Kukësi ka treguar se ka mangësi dhe ka pësuar humbjen e parë në kampionat. Kuksianët kanë rezerva për gjykimin e kryesorit Juxhin Xhaja, për golin e anuluar dhe kartonin e kuq të dhënë për kapitenin Taipi.

Abissnet Superiore, java e 4-t
Sot, ora 13:45
Tirana-Laçi 2-0
Kukësi-Teuta 2-3
Të shtunën
Egnatia-Kastrioti 2-1
Skënderbeu-Vllaznia 0-0
Të premten
Dinamo-Partizani 1-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë