Futboll

Video/ Blof i madh i Tiranës ndaj Egnatias, Superiorja fiksohet te barazimi 1-1

Nuk ka shkuar më shumë se barazimi as Tirana në ndeshjen e javës së dytë me Egnatian dhe ky është blofi më i madh deri tani. Bardheblutë vuajtën për të shënuar ndaj debutuesve në Superiore, gjetën golin me Seferin, por u barazuan shpejt. VAR-i i anuloi Tiranës një tjetër gol të Seferit dhe pas javës së dytë skuadra e Shehit ka 4 pikë. Egnatia ka marrë pikën e parë.

Tirana arriti ta zhbllokonte rezultatin në fillim të pjesës së dytë, pas një gjuajtje të bukur nga jashtë zonës të Taulant Seferit. Por me një gol po kaq të bukur u përgjigj Egnatia, që barazoi shifrat me Demir Imerin, duke e shuar gëzimin e kryeqytetasve brenda pak minutash.

Seferi shënoi edhe një gol tjetër për Tiranën, që u anulua nga VAR-i pas disa minutash ankthi te skuadrë e Shehit. Arbitrit Laver Alla iu deshën rreth 5 minuta për të vendosur. Në momentin që Seferi gjuajti drejt portës, Xhixha ishte në pozicion jashtë loje dhe në rrezen e portierit, ndaj dhe goli u vlerësua i parregullt.

Më pas Tirana u përpoq shumë për të gjetur golin e fitores, por nuk pati qartësinë e duhur për të shtyrë topin në rrjetë me Xhixhën dhe Ngo. Sulmuesi anglez pretendoi edhe për një penallti gjatë kohës shtesë, por në këtë rast VAR-i nuk ndërhyri. Pas 8 minutash shtesë, gjithçka u mbyll në barazim, 1-1.

Ishte barazimi i katërt në po kaq ndeshje të luajtura të javës së dytë të Superiores dhe të gjitha me të njëjtin rezultat, 1-1. Kukësi është ekipi që ka një mundësi për ta prishur këtë seri, nëse mund Kastriotin.

Abissnet Superiore, java e 2-të
Sot
Tirana-Egnatia 1-1
Kukësi-Kastrioti
Të shtunën
Skënderbeu-Partizani 1-1
Vllaznia-Teuta 1-1
Të premten
Dinamo-Laçi 1-1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë