Futboll

Video/ Berisha i pakalueshëm. Milani ngec edhe në Torino, tani +2 nga Interi

Gazeta Si - Milani ngec në Torino, në një barazim pa gola ndaj skuadrës së Berishës. Një gjysmë hapi fals për kuqezinjtë, të cilët ruajnë kryesimin me 2 pikë avantazh ndaj Interit në tabelën e klasifikimit, por zikaltrit kanë një ndeshje më pak. Napoli ka humbur në shtëpi ndaj Fiorentinës dhe pas javës së 32-të është në vend të tretë.

Milani kishte shumë mungesa në këtë ndeshje. Nuk udhëtuan me ekipin për këtë transfertë Ibrahimoviç, Benaser, Rebiç dhe Kastilejo, duke iu shtuar mungesave të Romanjolit dhe Kjaer. Skuadra e Piolit ishte e pafuqishme për të shkuar te goli dhe ra në kurthin e trajnerit Juriç. Pak raste shënimi, ku veçohet ai i Tonali, i bllokuar nga Berisha. Për Milanin ishte barazimi i dytë radhazi 0-0.

Portieri i Kombëtares shqiptare ishte ndër më të mirët për Torinon, gjithmonë në lartësinë e kërkuar, duke neutralizuar edhe ato pak tentativa të Milanit në këtë ndeshje. Titullar për Torinon ishte edhe kosovari Mërgim Vojvoda, i cili në një rast iu afrua shumë golit, por u ndal nga portieri Maingnan.

Edhe portieri tjetër i Kombëtares, Tomas Strakosha, bëri një paraqitje të mirë sot në fitoren 1-4 të Lacios në fushën e Xhenoas. Ai u ndëshkua vetëm në një moment, kur Patrik shkaktoi autogol. Elseid Hysaj u zktivizua si zëvendësues në fundin e ndeshjes.

Marash Kumbulla e nisi titullar ndeshjen ndaj Salernitanes, por Mourinjo e uli në stol në pushimin mes dy pjesëve, pasi mbrojtësi kuqezi ishte ndëshkuar me karton të verdhë. Roma fitoi me përmbysje, 2-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë