Kombetarja

Video/ Barazim me zemër ndaj Serbisë, kuqezinjtë e Cungut marrin pikën e parë

Kombëtarja U-19, e drejtuar nga trajneri Armando Cungu, ka barazuar 2-2 sot në “Elbasan Arena” ndaj Serbisë, duke marrë kështu pikën e parë në grup, në kualifikueset e Europianit 2022.

Ishte një fitore me zemër e kuqezinjve të vegjël, në një ndeshje që u duk praktikisht e humbur, pasi Serbia udhëhiqte 2-0 deri 6 minuta para fundit. Toçi humbi një penallti për Shqipërinë në minutën e 82-të, 2 minuta më pas Nerguti realizoi me kokë, pas harkimit nga këndi.

Kuqezinjtë shfrytëzuan një tjetër goditje këndi 3 minuta më pas dhe këtë herë ishte Shpendi që shënoi me kokë golin e barazimit. Një gol që solli një entuziazëm të jashtëzakonshëm në stadium, jo vetëm se u barazua nga 2-0 në 2-2, por edhe për faktin se kundërshtari ishte Serbia.

Shqipëria bën pjesë në Grupin 7, bashkë me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas 2 ndeshjeve të para, kuqezinjtë e Cungut mbajnë vendin e 3-të, me 1 pikë. Ata u mundën në debutim 4-0 nga Franca, në ndeshjen e luajtur në “Egnatia Arena” të Rrogozhinës. Ndeshja e radhës është me Maqedoninë e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë