Kuqezinjtë kanë hyrë në ditën e dytë të përgatitjeve për ndeshjen me Hungarinë, që luhet më 9 tetor në Budapest. Në konferencë shtypi ka dalë sot mesfushori fantazist Nedim Bajrami, një nga prurjet e reja të Kombëtares, si dhe Ermir Lenjani.
Lojtari i Empolit në Serinë A ka folur për sfidën me hungarezët dhe ambiciet personale. “E dimë shumë mirë që do të jetë një ndeshje e vështirë në Hungari, por do të hyjmë në fushë plot besim, sepse vijmë pas dy fitoresh radhazi dhe mund ta kalojmë me sukses këtë transfertë”, – ka theksuar Bajrami fillimisht.
“Kam shënuar dy gola në Serinë A dhe ndihem në formë. Jemi të vetëdijshëm për atë që duhet të bëjmë. Kam folur me trajnerin Reja dhe duhet të punoj më shumë në lojën me dhe pa top. Duhet të luaj më mirë në fazën mbrojtëse, ndryshe nga Empoli, ku luaj me top dhe i avancuar. Jemi tre shqiptarë me Empolin dhe shpresoj që edhe Kristjan Asllani të luajë me ne në Kombëtare.
Nuk ka rëndësi numri që mbaj në fanellë, rëndësi ka të fitojmë këto dy ndeshje. Besoj se Hungaria dhe Polonia janë dyj ekipe të forta, por ne duhet të përqendrohemi te loja jonë. Nëse do të jem titullar apo jo, e vendos trajneri Reja. Nëse luaj, do të jap maksimumin dhe shpresoj të shënoj gol”, – është shprehur më tej Bajrami.
Lenjani: Favor për ne, mungesa e tifozëve hungarezë
Kurse Ermir Lenjani, një nga lojtarët me më shumë përvojë të Kombëtares, u shpreh: “Jam gati për këto dy ndeshje fizikisht, kam pasur një lëndim të vogël, por ndihem shumë mirë. Me Hungarinë është shumë e rëndësishmë dhe do të fokusohemi te vetja jonë, te forca jonë dhe do të shohim si do të ecë loja.
Nuk e di, nëse do të jem apo jo titullar, e vendos trajneri. Së pari duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja me Hungarinë, kemi kualitet të lartë si në nivelin personal, edhe në atë ekipor. Hungaria i ka tifozët të flaktë dhe mendoj se është shumë mirë për ne që stadium do të jetë bosh. Kemi shumë lojtarë me kualitet, që luajnë në Europë, në klube të mira, që luajnë edhe në Champions dhe në këtë kohë jemi shumë më të forte”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




