Futboll

Video/ Bajerni pa mëshirë, Barcelona mbetet jashtë Ligës së Kampionëve

Kriza e Barcelonës për këtë sezon sigurisht që do të reflektohej edhe në Ligën e Kampionëve. Katalanasit janë eliminuar nga kompeticioni më i rëndësishëm në rang klubesh. Ata janë mundur sërish nga Bajerni me rezultatin 3-0, duke i mbyllur ndeshjet në grup me 7 pikë dhe në vend të tretë, që të çon në Ligën e Europës. Vendin e dytë e ka zënë Benfika, që vazhdon në Champions.

Ishte një mision i pamundur fitorja e Barcelonës në Gjermani. Bavarezët janë treguar të pamëshirshëm dhe kanë shënuar 3 herë, me anë të Myler, Sane dhe Musialas. Asgjë për t’u shënuar nga spanjollët, të cilët janë mundur në të dyja ndeshjet nga Bajerni, që e mbylli grupin me pikë të plota, 18 pikë. Benfika mundi 2-0 Dinamon e Kievit.

Juventusi fitoi duelin në distancë me Çelsin për vendin e parë në grup. Italianët fituan 1-0 ndaj Malmos, kurse anglezët, kampionë në fuqi, barazuan 3-3 në fushën e Zenitit. Mançester Junajtid, i kualifikuar më parë, barazoi 1-1 me Jang Bojs. Janë kualifikuar edhe Lila dhe Salcburgu, që fituan përkatësisht ndaj Volfsburgut dhe Seviljes.

15 skuadra të kualifikuara
Janë 15 tashmë skuadrat e kualifikuara për në fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve. Dhe konkretisht janë Real Madrid, Liverpul, Inter, Mançester Siti, PSG, Atletiko Madrid, Ajaks, Sporting Lisbonë, Juventus, Çelsi, Bajern Mynih, Benfika, Lilë, Mançester Junajntid dhe Salcburg. Skuadra e 16-të do të përcaktohet nesër nga sfida direkte mes Atalantës dhe Vilarrealit.

Liga e Kampionëve, ndeshjet e fundit në grup
Sot
Juventus-Malmo 1-0
Zenit-Çelsi 3-3
Atalanta-Vilarreal (e shtyrë)
Bajern Mynih-Barcelona 3-0
Benfika-Dinamo Kiev 2-0
Mançester J-Jang Bojs 1-1
Salcburg-Sevilja 1-0
Volfsburg-Lilë 1-3


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë