Futboll

Video/ Bajern asfiksues, 4 gola për 7 minuta Leverkusenit dhe rikthim në krye

Bajerni i Mynihut është rikthyer në krye të Bundesligës. Në sfidën e javës së 8-të, bavarezët kanë mundur thellë Bajer Leverkusenin, 1-5. Një rezultat i fiksuar që në pjesën e parë me dopietat e Levandovskit dhe Gnabrit, si dhe një gol të Tomas Mylerit. Goli i Shik shërbeu vetëm për statistika te Bajer Leverkuseni.

Bavarezët e zhbllokuan rezultatin pas vetëm 3 minutash, kur Levandovski realizoi me një goditje me thembër, pas një asisti të Upamekanos. Leverkuseni la shumë hapësira prapa dhe Bajerni ishte gjithë kohën afër golit. Sane goditi shtyllën dhe pas gjysmë ore Bajerni përjetoi 7 minuta të çmendura, duke shënuar edhe 4 herë të tjera.

Levandovski sigloi dopietën, i shërbyer nga Davis, Myler shënoi golin e tretë, duke devijuar ndoshta pa dashje një gjuajtje Zyle, ndërsa Gnabri i dha goditjen finale Leverkusenit me 2 gola në 2 minuta. Skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-5 dhe në pjesën e dytë të zotët e shtëpisë provuan të tregonin pak krenari. Ata shënuan vetëm golin e nderit me Shik.

Bajerni e uli ndjeshëm ritmin, duke kursyer energjitë. Me këtë fitore, skuadra e Nagelsman ngjitet në krye të klasifikimit, 1 pikë para Borusia Dortmund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë