Duhej fitorja dhe ajo u arrit më shumë mund e djersë nga Kombëtarja. Tifozët e rikthyer kanë shijuar fitoren ndaj Hungarisë. Heroi i kuqezinjve është Armando Broja, i cili, i aktivizuar në fundin e ndeshjes, gjeti golin e fitores me një gjuajtje shumë të fuqishme. Shqipëria ka marrë momentalisht vendin e dytë të Grupit I, me 9 pikë, por me siguri do të kalohet nga Polonia, që luan me San Marinon. E rëndësishme është që është mundur dhe kaluar në klasifikim një rival direkt si Hungaria.

Me fanellën e Kombëtare ka debutuar sot Nedim Bajrami, i cili zuri vend mes mesfushës dhe sulmit, duke lidhur dy repartet. Doka zuri vendin e Hysajt, Uzuni të Manajt dhe Balaj të Cikalleshit të dëmtuar. Pjesa e parë ishte mjaft e mirë për kuqezinjtë, të cilët patën raste të mira shënimi me Uzunin, Bajramin dhe veçanërisht Kumbullën, i cili humbi një gol të sigurt pranë portës kundërshtare. Në anën tjetër, Berisha u bë dy herë shpëtimtar i portës sonë.
Në pjesën e dytë trajneri Reja hodhi fillimisht në fushë Roshin për Trashin dhe pas minutës së 60-të u detyrua të ndërronte Bajramin për dëmtim. Hungaria shfaqi shenja lodhjeje dhe nisi ta priste skuadrën tonë në gjysmëfushën e saj. Balaj dhe Çekiçi patën dy raste të arta përballë portierit hungarez, por asnjëri nuk mundi të realizonte.
Në fund minuta edhe për Brojën dhe Hoxhallarin. Skuadra jonë u përpoq të shtynte më shumë në sulm, në kërkim të golit, që më në fund ka ardhur nga e djathta e Brojës 3 minuta para fundit. Sulmuesi i Southemptonit, pasi mori një top të gjatë nga mesfusha, shkarkoi të djathtën, duke tundur me “dhunë” rrjetën hungareze. Ky është goli i parë për Brojën me fanellën e Kombëtares. Pas tri ditësh është San Marino dhe Shqipëria ka shansin të shkojë 12 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




