Aplikimi i sistemit VAR për herë të parë në futbollin shqiptar ka ngritur shpesh disa pikëpyetje, edhe pse vlerësimi është pozitiv në përgjithësi. Dyshimet kanë të bëjnë ndonjëherë me standardin e dyfishtë që përdorin arbitrat, ndonjëherë me injorimin e episodeve që kanë nevojë të rishihen dhe ndonjëherë me vendimin edhe pas konsultimin me VAR-in.
Një prej këtyre episodeve ishte edhe ai i sotmi në ndeshjen mes Tiranës dhe Teutës, ku vendimi i dytë i arbitrit Laver Alla, pas konsultës me VAR-in, ngre shumë dyshime. Tirana fitoi një penallti me Seferin në fundin e pjesës së parë, në pamje një penallti nga ato që quhen “neto”. Pasi e akordoi, arbitri Alla u thirr nga VAR-i, ku qëndroi gati 5 minuta.
Një situatë që solli reagimin e lojtarëve në fushë, pasi atyre nisi t’u thahej djersa në trup. Dhe pasi pa disa herë pamjet, abritri Laver Alla u kthye në fushë, anuloi vendimin e tij të mëparshëm dhe sinjalizoi përfundimin e pjesës së parë, duke irrituar lojtarët dhe drejtuesit e Tiranës.
Një vendim shumë i diskutuar. Pamjet filmike tregojnë se mbrojtësi i Teutës e ka penguar me këmbë dhe dorë sulmuesin e Tiranës, por Alla ndryshoi mendje për penalltinë e akorduar. Dyshimet për vendimin e tij janë shtuar më shumë për shkak të kohës së gjatë që ai qëndroi para ekranit të VAR-it.
Tirana gjithsesi e fitoi ndeshjen 2-1, me gola të Totres dhe Seferit. Bardheblutë kanë rimarrë kryesimin vetëm pas pak orësh, duke zbritur Kukësin sërish në vend të dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




