Në “Wembley” shënojnë Sterling dhe Kejn dhe festojnë të zotët e shtëpisë, Gjermania e mbyll këtu rrugëtimin e saj në këtë Europian, në 1/8-at, shumë shpejt. Një dështim i paralajmëruar ndoshta që nga ndeshja e fundit në grup, kur “pancerat” mezi u kualifikuan, duke barazuar në fund ndaj Hungarisë. Southgejt merr “hak” ndaj gjermanëve, anglezët tani mund të besojnë më shumë se kurrë se mund të fitojnë trofeun. Në çerekfinale ndeshen me fituesin e çiftit Suedi-Ukrainë.
Këtë herë Southgejt zgjodhi të luante me 3 mbrojtës, duke spostuar Shou dhe Tripier në krahët e mesfushës për të ndihmuar skuadrën në të dyja fazët e lojës, por më shumë sulmin. Sërish Saka titullar në sulm, bashkë me Kejn dhe Sterling. Te Gjermania, ashtu siç pritej, Myler dhe Goretzka e nisën nga minuta e parë, ndërsa të kritikuarit Gyndogan, Sane dhe Gnabri u ulën në stol.
Pjesa e parë ishte plotësisht e ekuilibruar, me dy raste për t’u veçaruar: një gjuajtje të Sterling dhe të pritur nga Nojer, si dhe një rast i Verner në krahun tjetër. Asnjë ndryshim me fillimin e pjesës së dytë, me dy trajnerët që i kryen lëvizjet e para pas minutës së 65-ët. Grealish në fushë për anglezët dhe Gnabri për gjermanët. Lëvizje që rezulton e goditur për vendësit, pasi avantazhi nuk vonon.
Sterling zhbllokon shifrat në minutën e 75-të, duke devijuar saktë një top të krosuar tokazi nga Shou nga e majta. Tomas Myler më pas ka një shans shumë të mirë për të barazuar, por nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë i vetëm përballë portierit. Anglia gjen edhe golin e dytë me kapitenin Kejn, që më në fund prish “agjërimin”. Një gol thuajse identik me të parin, por me Grealish që kroson dhe Kejn me kokë e çon topin në rrjetën e Nojerit.
Kanë mbetur vetëm 4 minuta lojë dhe Gjermania nuk mund të bëjë asgjë, vetëm të bëjë gati valixhet për t’u ktheyr në shtëpi, duke dështuar sërish, ashtu si në Botërorin e Rusisë. Trajneri i saj i ri, Hansi Flik, ka shumë punë për të bërë në të ardhmen për ta rikthyer Gjermaninë në nivelet e zakonshme.
Angli-Gjermani 2-0
Anglia (3-4-3): Pikford, Uollker, Maguajër, Stons, Tripier, Rajs (Henderson), Filips, Shou, Saka (Grealish), Kejn, Sterling. Trajner: Southgejt
Gjermania (3-4-3): Nojer, Ginter (Çan), Humels, Rudiger, Kimish, Kros, Goretzka, Gosens (Sane), Havertz, Myler (Musiala), Verner (Gnabri). Trajner: Lëv
Arbitër: Makeli (Holandë)
Shënues: Sterling 75’, Kejn 86’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.