Shumë optimizëm kishte në radhët e Kombëtares U-21 para ndeshjes me Anglinë, por në fakt fusha ka treguar diferenca të mëdha mes dy skuadrave. Plot 5 gola ka pësuar skuadra jonë, që edhe në këtë ndeshje drejtohej nga Xhemal Mustedanagiç, pasi Alban Bushi është ende i karantinuar. Shqipëria i mbyll kështu eliminatoret e Europianit në vend të tretë, me 14 pikë, pas Anglisë dhe Austrisë.
Anglezët kanë treguar forcën e tyre, duke shënuar 3 gola që në pjesën e parë. Serinë e golave e hapi lojtari i Çelsit, Hudson-Odoi, më pas realizuan Xhastin dhe Musiala. Në pjesën e dytë Anglia realizoi edhe dy herë të tjera me të njëjtin autor, Nketiah, i cili humbi edhe një penallti.
Ajo që ra në sy ishte guximi i tepërt i trajnerit Mustedanagiç, që e nisi ndeshjen me 5 sulmues në fushë, ku veç Dobrës, Bullarit dhe Xhixhës, ai aktivizoi edhe Muçin dhe Tucin, këta dy në mesfushë. Një “bast” i humbur.
Shqipëria luajti me këtë formacion: në portë Molla, në mbrojtje Marku, Selmani, Sota dhe Mitaj, në mesfushë Muçi, Çokaj dhe Tuci, kurse në sulm treshjja Dobra-Bullari-Xhixha. Si zëvendësues u aktivizuan Pëllumbi, Ademi, Kraja, Ndreçka dhe Mihana.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




