Për të katërtën ndeshje radhazi në fushën e tij, Liverpuli nuk arrin të fitojë dhe “Anfield Road” është bërë tashmë një makth për skuadrën e trajnerit Jurgen Klop, që është mundur 0-1 nga Brajtoni. Një humbje që e largon edhe më tepër nga kreu Liverpulin, aktualisht në vend të 4-t në Premier Ligë.
Mungesat vazhdojnë të shtohen për “të kuqtë”, që sot nuk kishin të gatshëm as Sadio Mane, përveç Van Dajk, Fabinjo, Jota, Matip dhe ndonjë tjetër. Gjithsesi, kjo humbje në shtëpi është vërtet e rëndë. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë nga Alzate, i cili i dha 3 pikë të rëndësishme për mbijetesën Brajtonit.
Mançester Siti i Guardiolës ka mposhtur 0-2 Bërnlin, duke u gjitur në kuotën e 47 pikëve dhe me një ndeshje më pak se rivalët. Gabriel Jesus dhe Sterling mbyllën llogaritë e kësaj transferte që në pjesën e parë. Ishte një mesazh i qartë për kushërinjtë e Mançester Junajtid, që një ditë më parë fituan 9-0 ndaj Southemptonit dhe tashmë mbajnë vendin e dytë.
Ka fituar edhe Leiçesteri i vendit të tretë ndaj Fulhemit, ndërsa Evertoni i Ançelotit mundi 1-2 Lidsin e Marselo Bielsës. Vazhdon të befasojë edhe Uest Hemi, që ka mundur 1-3 Aston Vilën dhe qëndron pranë zonës Champions, duke lënë prapa Çelsin dhe Totenhemin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.