Futboll

Video/ 11 fitore radhazi, Siti përmbys Arsenalin në ndeshjen e parë të 2022-shit

Mançester Siti regjistron fitoren e 11-të radhazi në Premier Ligë, falë një goli në shtesë të Rodrit, që përmbysi Arsenalin nga 1-0 në 1-2. Goli i avantazhit dhe i pari për vitin 2022 në Premier u shënua nga Saka. Skuadra e Guardiolës barazoi me penallti me Mahrez, më pas “Topçinjtë” mbetën me 10 vetë dhe Siti përfitoi, duke fituar dhe duke u shkëputur në krye.

Vetëm pas 13 minutash lojë, VAR-i anuloi golin e avantazhit për Arsenalit, që më pas rrezikoi edhe me Martinelin. Goli i parë do do të vinte nga këmbët e Saka, kurse Martineli do të humbte dy raste të tjera për golin e dytë. Siti shpëtoi dhe më pas u fut në lojë.

Granit Xhaka shkaktoi penallti dhe Mahrez barazoi nga pika e bardhë. Gabriel mmori dy kartonë të verdhë në pak minuta dhe Arsenali mbeti me 10 lojtarë. Kontrollin e lojës e mori Siti dhe rezistenca e ekipit vendës zgjati deri në minutën e tretë shtesë, kur Rodri shënoi nga shumë pranë portës golin e fitores. Tifozët e Arsenalit kanë reaguar pas golit, duke hedhur në fushë shishe plastike dhe topa letre higjenike.

Po në kohën shtesë e ka fituar ndeshjen e parë të këtij vitit dhe Totenhemi, që ka festuar në minutën e 95-të ndaj Uatfordit. Antonio Konte ka fitiar derbin italian të stolave ndaj Klaudio Ranierit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë