“Euroleague Basketball” shpalli sulmuesin e Olympiacos, Sasha Vezenkov si fituesin e cmimit “Most Valuable Player – Lojtari më i Mirë” në “2025 Turkish Airlines EuroLeague Playoffs”. Vezenkov ishte protagonist në paraqitjen e skuadrës së tij që eleminoi nënkampionët e vitit 2024, Real Madrid në 4 ndeshje. Një forcë konstante për Olympiacos që shënoi mesatarisht 19.0 pikë, mori 6.5 ribaund, dha 3.0 asists dhe rrëmbeu 1.3 topa për ndeshje.

Ai realizoi 60.6% të gjuajtjeve për dy pikë. Eficenca e tij ishte mbresëlënëse duke realizuar një “Performance Index Rating – (PIR)” prej 22.8, më mirë se kushdo tjetër në Playoff. Një tjetër aspekt ilustrues janë 23.8% e pikëve që Vezenkov realizoi për Olympiacos në tërë serinë përballë madrilenëve. Ky është edicioni i parë që “Euroleague Basketball” jep një cmim për më të mirin në Playoffs dhe ai fitohet nga “2022-23 EuroLeague MVP”.

Në të gjashtin sezon te Olympiacos, një muaj më parë Vezenkov u përzgjodh për të tretën herë në “All-EuroLeague First Team”. Me saktësinë në tabelë, leadership-in dhe leximin e situatave në fushë, Vezenkov konfirmoi rëndësinë që ai pati në rrugën e Olympiacos në Playoff. Ndërsa tani ai do të udhëheqë “Reds-at” në Abu Dhabi, me objektivin e vetëm, titullin e parë në EuroLeague.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.