Nga Gazeta Si- Një 57-vjeçar i ka dhënë fund jetës gjatë natës së kaluar në burgun e Fushë-Krujës, ku ndodhej në paraburgim për vrasje të mbetur në tentativë ndaj funksionarëve publikë.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:34, kur Qani Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte, në pjesën e grilës së ajrimit. Ngjarja ka ndodhur në sektorin 2, ku i ndjeri qëndronte së bashku me pesë të paraburgosur të tjerë.
Sipas informacionit paraprak, është vënë re nga një prej të paraburgosurve që Muça po vonohej më shumë sesa zakonisht. Ky i fundit ka hapur derën dhe ka konstatuar Qani Muçën të vetëvarur në grilën e dritares.
57-vjeçari ishte arrestuar në 12 gusht të 2022 për veprat penale: “Vrasje e funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Muça plagosi me armë zjarri punonjësin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Ilirjan Gavelli, pasi i shembën shtëpinë. Në gjykatë, ai akuzonte punonjësit e IMT-së duke pretenduar se ata i kishin vjedhur një shumë parash në banesën e shembur dhe pretendonte se nuk ka pasur qëllim të plagoste punonjësin, por e gjitha erdhi si pasojë e nevrikosjes nga sherri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.