Drejtësia

Vettingu “skadon” në korrik. Dy zgjidhjet se si mund të vijojë procesi

Procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve kërcënohet që të zvarritet edhe më tej për shkak të parashikimeve kushtetuese. Instituti i Studimeve Politike thotë se një prej detyrave më të para që duhet të bëjë Kuvendi i ri është që të zgjasë afatin e punës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Kushtetuta parashikon se në korrik 2022 mbaron mandati i (KPK), struktura e nivelit të parë të vetingut në drejtësi, si dhe mandatet e Komisionerit Publik. Pas këtij mandati përgjegjësia për procesin e rivlerësimit i kalon autoriteteve të reja të sistemit të drejtësisë, KLGJ për gjyqtarët dhe KLP për prokurorët”, thotë ISP.

Instituti thekson se 10 muaj nga përfundimi i këtij afati, procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është bërë për rreth gjysmën e tyre.

“Bilanci aktual dhe ritmet e vetingut na tregojnë se është e pamundur përfundimi i plotë i tij në afatin kushtetues. Për rrjedhojë, ecuria e vettingut do të vijojë në organet e tjera të sistemit të drejtësisë ose parlamenti i ri do të duhet të ndërmarrë nismën për ndryshimin e afatit kushtetues përmes ndërhyrjeve të reja në Kushtetutë”, thuhet në deklaratën e ISP.

Në të dyja rastet, ISP thotë se duhet që Parlamenti, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë të bashkëveprojnë për të marrë një vendim sa më optimal përpara afatit të parashikuar nga Kushtetuta.

Zgjidhja e parë, pra zgjatja e afatit të organeve të vettingut kërkon ndryshime kushtetuese dhe si e tillë në Parlamentin e ri do të kërkojë edhe konsensus mes PS dhe PD. Nëse zgjidhja do të jetë e dyta, pra që vettingut të kalojë në dorë të KLGj dhe KLP do të duhet që të punohet për aktet rregullatore, shtimin e personelit dhe buxhetin në dispozicion të këtyre organeve.

“Vetingut duhet të jetë dhe zë zbatohet si standard i njëjtë për të gjithë subjektet e rivlerësimit. Drejtësia e re meriton të jetë transparente, efektive, e besueshme, profesionale dhe me integritet”, thekson ISP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë