Nisma e opozitës për realizimin e Vettingut në Politikë pritet t’i rikthehet edhe një herë në qendër të vëmendjes, pasi në Shqipëri do të mbërrijnë ekspertët e Komisionit të Venecias. Njoftimi është bërë publik nga vetë Komisioni, i cili bën të ditur se kjo vizitë zyrtare dyditore nga 19 dhe 20 nëntor do të ketë në fokus bisedimet në lidhje me nismën e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës për verifikimin e politikanëve dhe të zyrtarëve të lartë publikë për lidhje me krimin e organizuar.
“Delegacioni do të ketë shkëmbime me përfaqësues të autoriteteve shqiptare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ndërsa parashikohet që të ketë takime edhe me përfaqësues të opozitës, të mazhorancës, si dhe me ministrisë së Drejtësisë dhe ekspertë të ndryshëm tw jurisprudencës.
Më 2 tetor, kryeparlamentari Gramoz Ruçi iu drejtua zyrtarisht Komisionit të Venecias për të dhënë opinion, ekspertizën e tyre në lidhje me nismën e opozitës që parashikon ndërhyrjen në Kushtetutë.
Pavarësisht se opozita u shpreh kundër, demokratët duket se e kanë pranuar në heshtje këtë proces dhe janë në pritje të mendimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.
Në letrën e kryeparlamentarit Ruçi kishte 8 pika të ngritura për t’u shqyrtuar nga ana e Venecias, ku kërkohet vlerësimi nëse janë formuluar nenet e projektligjit për Vettingun e politikës në mënyrë korrekte nga pikëpamja e teknikës së hartimit të një norme kushtetuese?
“1) Cili është qëllimi i projektligjit për vettingun e politikës? A është ky një qëllim legjitim? 2) A është ndërhyrja në të drejtën për t’u zgjedhur e balancuar dhe në përputhje me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDN), në kuptim të parimit të proporcionalitetit dhe parashikimit me ligj”? 3) Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira lidhur me kontrollin e figurës së të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)? 4) A ka dallim ndërmjet standardeve dhe kontrollit të figurës së gjyqtarëve/prokurorëve dhe të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?”, janë disa nga pyetjet e parashtruara nga ana e Ruçit.

Gjithashtu kërkohet t’i jepet mendimi për draftin e opozitës nëse: “A është ndërhyrja në të drejtën për mbrojtjen e reputacionit, në kuptim të nenit 8 të KEDNJ, e balancuar dhe në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDN? A është ndërhyrja në të drejtat për një proces të rregullt ligjor (akses në gjykatë), në kuptim të nenit 6 të KEDNJ, në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ?
Por pyetja që është më e rëndësishme për mazhorancën është nëse ky draft i opozitës cenon ose jo funksionimin e organeve të reja të drejtësisë ose jo, si Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK).
“A mund të sjellin implikime, ndikim të papërshtatshëm apo edhe mbivendosje parashikimet e projektligjit për Vettingun e politikës në drejtim të zbatimit dhe efektivitetit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme (neni 135/2 i Kushtetutës), Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore (neni 148/4 i Kushtetutës), të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI), ligji nr. 9367/2005), të institucioneve që merren me procesin e dekriminalizimit (ligji nr. 138/2015)?”, është pyetja me numër 8 e kryeparlmaentarit Ruçi.
Pas këtyre takimeve që do të mbahen përgjatë dy ditëve në Tiranë, ekspertët e komisionit pritet të nxjerrin raport mbi nismën e opozitës mbi Vettingun.
Opinioni do të dorëzohet nga Komisioni i Venecias për shqyrtim dhe për miratimin e mundshëm në mbledhjen e radhës plenare, që do të mbahet më 14-15 dhjetor 2018.
Ndërsa mazhoranca ka nisur paralelisht punën për të realizuar konsultime me grupet e interesit, juristë apo avokatë mbi nismën e opozitës. Në këto mbledhje opozita ka munguar, duke mos marrë pjesë. Ajo është mjaftuar vetëm me mbajtjen e deklaratave publike në këtë komision, duke bojkotuar mbledhjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




