Politike

Vettingu sërish në duart e politikës

Në seancën e së hënës, përmes një deklarate të Taulant Ballës mazhoranca pranoi se kishte shtrirë dorën për ndihmë tek gjysma e opozitës për të miratuar ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash pro.

Bëhet fjalë për ndryshime proceduriale, të propozuara nga Shkolla e Magjistraturës dhe shndërruar në projektligj nga deputetët, që nëse do të miratoheshin i hapin rrugë emërimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Me ndryshimet në kuadër të reformës në drejtësi emërimet bëhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Por, të dy këto organe nuk janë ngritur ende dhe gjasat janë që të kërkojnë disa muaj kohë deri në kalimin e kandidatëve për anëtarë të tyre në sitën e rivlerësimit profesional, integritetit dhe pasuror, tri shtyllat e vettingut.

Në këtë situatë, ndërhyrja shihet si e domosdoshme për të mos përkeqësuar edhe më tej sistemin e drejtësisë të boshatisur nga dorëheqjet dhe procesi i vettingut, sidomos në atë gjyqësor. Sot vendi është praktikisht pa Gjykatë Kushtetuese dhe po ashtu e mbingarkuar dhe në prag mosfunksionimi është edhe Gjykata e Lartë.

Për gjitha këto arsye PS kërkoi ndihmën e LSI-së të hënën dhe po atë ditë mori sinjalin e parë refuzues.

Deputeti i LSI, Nasip Naço

“Në mungesë të KLGJ dhe KLP kërkojnë që ne të kthehemi 180 gradë pas që t’i japim të drejtën Këshilli të Lartë të Drejtësisë. Unë personalisht dhe në emër të grupit të LSI nuk kam pranuar që të votoj pikën 1 të nenit 160, që t’i japim edhe njëherë mundësi KLD, këtij këshilli të anatemuar nga ne dhe ndërkombëtarët për emërime nepotike”, deklaroi deputeti i LSI-së, Nasip Naço.

Këtë të mërkurë, përmes ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj shumica ripërsëriti domosdoshmërinë që ligjvënësit të ndërhyjnë.

“Ka shumë rëndësi që të zgjidhen të dyja çështjet. E para që t’i jepet mundësia Shkollës së Magjistraturës që të hapë vitin e ri shkollor dhe e dyta ka të bëjë me kategorinë e kandidatëve për magjistratë që kanë mbaruar studimet këtë vit”, deklaroi ajo në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve.

Opozita thotë se ndërhyrja është e paligjshme, ndërsa akuzon se procesi i vettingut u njollos që me kalimin e Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, që PD e quan “kamikaze” të Edi Ramës.

Të bindur se tek PD do të gjenin refuzimin, socialistët iu drejtuan LSI-së duke argumentuar kërkesën për bashkëpunim me faktin që kjo parti e ka votuar njëherë këtë ligj në 2016 kur ishte në koalicion me ta dhe ndryshimet që propozohen janë thjesht proceduriale, apo siç i quajti ministrja Gjonaj, shtyrje në kohë të afateve. Por, përgjigjen negative këtë herë e morën nga vetë Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë një seance parlamentare

“LSI nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve për të shpëtuar Edi Ramën! Asnjë marrëveshje apo bisedim nuk ka dhe nuk do të këtë për t’i zgjatur agoninë kësaj qeverie, që e zhytur në krim, trafiqe të paligjshme dhe korrupsion po përpiqet, që në grahmat e fundit, të mundet të shpëtojë me manipulime të tilla”, deklaron Kryemadhi.

Ka një temë dhe tryezë ku LSI është e gatshme që të marrë pjesë.

“LSI ka qenë dhe do të jetë pro dhe pjesë e çdo takimi apo tryeze që trajton dhe diskuton përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe largimin e klikës së Edi Ramës. Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e opozitës së bashkuar, me qëllimin e qartë dhe të saktë, largimin e pushtetit banditesk të Edi Ramës! Të shpëtosh sot Edi Ramën do të thotë të shkatërrosh përfundimisht të ardhmen e shqiptarëve dhe këtë mëkat LSI nuk e merr në kurriz”, shton ajo.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk formon dot kuorumin prej 7 anëtarësh për të shqyrtuar çështje dhe anëtari i fundit i saj, Gani Dizdari del këtë të enjte para KPK-së. Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka 9 anëtarë të ndarë në 3 kolegje, atë penal, administrativ dhe civil. Por pas seancës dëgjimore të gjyqtarit Admir Thanza, rrezikon të mbetet me tetë të tillë. Edhe pa largimin e Thanzës në asnjërin prej kolegjeve nuk arrihet që të formohet numri prej 5 gjyqtarësh që nevojitet për të shqyrtuar një çështje dhe deri më tani, për ta realizuar këtë gjykata ka shfrytëzuar mundësinë e transferimit të gjyqtarëve të saj brenda kolegjeve, për të shmangur bllokimin si institucion.

Gjyqtari Admir Thanza

Me largimin e mundshëm të gjyqtarit Admir Thanza, që është pjesë e kolegjit administrativ në këtë gjykatë, sfida e këtij institucioni për të dhënë drejtësi bëhet akoma më e vështirë.

Raporti i KPK për Thanzën gjen shkelje në të treja fushat e inspektimit, si atë pasuror, atë të integritetit, por edhe në atë profesional. Sipas KPK, gjyqtari nuk justifikon një numër pasurish të paluajtshme dhe po ashtu rezulton i dënuar me 40 ditë burg për vjedhje nga drejtësia italiane.

Gjykata e Lartë raporton zyrtarisht një stok dosjesh prej rreth 24 mijë çështjesh që presin në radhë për t’u shqyrtuar. Përkeqësimi i situatës, sidomos në sistemin gjyqësor bën akoma më emergjente nevojën për emërimin të të sapodiplomuarve në Shkollën e Magjistraturës.

Alarmi i mbërritjes në një situatë të tillë është lëshuar që në fillim të vitit nga përfaqësuesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që kanë këshilluar ndërhyrjen e ligjvënësit përmes një norme tranzitore, që do të funksionojë deri në ngritjen e KLGj dhe KLP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë