Politike

Vettingu politik, kushti i PS për ndryshimin e Kushtetutës

Partia Demokratike me paraqitjen e nismës së re për Vettingun ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit i ka hedhur “dorashkën” maxhorancës, e cila duhet të përballet me një çështje të nxehtë politike, e kjo disa muaj përpara zgjedhjeve lokale.

Përballë kësaj nisme, maxhoranca ka bërë gati strategjinë për t’ju kundërpërgjigjur opozitës, e cila në pamje të parë shihet si një refuzim, por që gjithashtu përmban edhe kushtin e Partisë Socialiste për t’u ulur në negociata me kryedemokratin Lulzim Basha.

“Këta po bëjnë një përpjekje për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, ndërkohë që ne prej ditës së parë kemi mbështetur SPAK-un (Prokurorinë speciale Antikorrupsion) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, të cilat janë dy institucione tërësisht të pavarura nga politika, të vetmet që mund të bëjnë një hetim dhe ndëshkim të korrupsionit 27-vjeçar në Shqipëri”, do të deklaronte kryetari i grupit parlamentar të PS-së,Taulant Balla, pas mbledhjes së zhvilluar me deputetët e partisë së tij.

E ky pritet të jetë qëndrimi “refuzues” i maxhorancës përballë nismës së opozitës, pasi sipas Ballës, opozitarët duan të zhvlerësojnë rolin që pritet të marrin dy organet e reja Byroja Kombëtare e Hetimit, por edhe SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme të Hetimit që parashikon hetimin e pasurisë së familjarëve të politikanëve.

Refuzimi i socialistëve nuk është i prerë, pasi ata veç strategjisë për të “diskretituar” nismën e PS-së, si një përpjekje për të shmangur krijimin e institucioneve të reja, ka si synim që të bindë demokratët me anë të negociatave që të gjejnë zgjidhje, duke i futur këto propozime të opozitës si pjesë e Reformës së Drejtësi, pa cenuar Vettingun e ndërmarrë në sistemin e drejtësisë.

Numri dy i PS-së, Taulant Balla në një intervistë televizive bëri të ditur se ka komunikuar me kreun e PD-së, Edmond Spaho për të nisur negociatat mes palëve.

“Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë çdo bashkëbisedim. Prej ardhjes së tij unë kam kërkuar një takim me kreun e grupit të PD-së, Spaho, për të diskutuar formalitetet, përmbajtjen dhe sigurisht për të ardhur në një draft të përbashkët më të plotë. Por këtu jemi përballur me kushtin e vetëm: Reforma në Drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja të SPAK-ut dhe BKH-së të mos preken. Pra, që vettingu në drejtësi të mos jetë objekt i negociatave”, do të deklaronte Balla.

Ndërsa pozicioni i PS-së për nismën e opozitës, duket se sqarohet disi nga deputeti i PS-së, Bledi Çuçi, i cili ka deklaruar për TV Klan se “nëse gjendet një mekanizëm që i vjen në ndihmë strukturave të SPAK dhe BKH dhe jo të deformojë Reformën në Drejtësi, është i mirëpritur konsensusi me demokratët”.

Në bazë të Rregullores së Kuvendit, Ruçi duhet të njoftojë këtë enjte , në seancën parlamentare, deputetët për depozitimin e nismës së opozitës për ndryshimin e Kushtetutës, e cila duhet të jetë e firmosur 1/5 e përfaqësuesve të Parlamentit.

Nisma sipas nenit 77 të Rregullores duhet të përfshihet menjëherë në kalendarin e Punimeve. Për shqyrtimin e nismës së opozitës, sipas Rregullores, duhet të mblidhen  së bashku Komisioni parlamentari i Ligjeve dhe Këshilli për Legjislacionin, jo më parë se dy javë nga data e depozitimit të p/ligjit për ndryshimin e Kushtetutës.

Gjithashtu këto dy struktura parlamentare duhet të mblidhen nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, e ku që mbledhjen e parë duhet të përcaktojë dy relatorët për projektligjin e paraqitur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë