Në një përgjigje me shkrim drejtuar kërkesës së Kuvendit për seancë dëgjimore për nismën e ndryshimeve kushtetuese të iniciuar nga PD, lidhur me vetingun në politikë, Insituti i Studimeve Politike vlerëson parimisht se, “Shqipëria ka nevojë jetike për vetting në politikë, për politikanë dhe politikë të pastë”
ISP vlerëson se nisma kushtetuese e 39 deputetëve, megjithëse ka meritën se nxit procesin drejt një debati institucional dhe publik në mbështetje të vetingut në politikë, – mbetet e paplotë, e paqëndrueshme në formë e përmbajtje, pa mekanizma garancie dhe e motivuar më shumë për nevoja politike ditore, sesa për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
ISP vlerëson se zgjidhja për vetingun në politikë mund të mundësohet brenda kuadrit të sotëm kushtetues, përmes reformimit rrënjësor të legjislacionit ekzistues për partitë politike, jetësimit integral të dekriminalizimin, reformimit të legjislacionit zgjedhjet dhe të instrumenteve të kontrollit pasuror, duke krijuar mekanizma funksionalë dhe të besueshëm verifikimi të hershëm dhe të përgjegjësisë konkrete ligjore në rast shkeljeve.
ISP mbështet detyrimin me ligj të partive për mekanizma të brendshëm të integritetit, demokracisë së brendshme dhe etikës, të financimit dhe rolit të tyre në fushatat elektorale, ashtu si edhe penalizimin e tyre me ligj në rast se promovojnë dhe mbështesin individë me rekorde kriminale, nëse bazohen në burime financimi kriminale dhe nëse pamundësojnë ose pengojnë drejtësinë në hetimin e politikanëve të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
ISP vlerëson se në tërësi nisma kushtetuese për zgjerimin e mekanizmit të vetingut në politikë, ndonëse është e paqartë, bazohet në një zgjidhje eksperimentale dhe komplekse, si dhe nuk ofron garanci për integritet, standarde më të larta dhe as legjitimitet institucional
Ndaj dhe, ISP sugjeron reformimin tërësor të legjislacionit mbi partitë politike, financimin elektoral, si dhe ndryshime plotësuese në legjislacionin për ILDKPKI dhe dekriminalizimin
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




