Politike

Vettingu në drejtësi e polici, PD: Farsa!

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka dalë me një vendim përfundimtar për Ardian Dvoranin, anëtar i Gjykatës së Lartë, por Partia Demokratike thotë me bindje se ai do të kalojë testin e vettingut.

Deputeti Gent Strazimiri thotë se Dvorani është prova më domethënse e standardeve të dyfishta që po ndiqen në këtë proces rivlerësimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“KPK-ja provoi sërish sot se po zbaton standardet e dyfishta për gjyqtarët dhe prokurorët që i shërbejnë Edi Ramës. Ardian Dvorani, gjykatësi i lartë që njihet publikisht si çanta e shpinës së Fatmir Xhafajt është simboli i shërbëtorit të dyfishtë të Edi Ramës në sistemin e drejtësisë. Ai u mor sot në mbrojtje nga KPK-ja pavarësisht se sipas ILDKPI-së nuk justifikonte 99 milionë lekë! Në një rast të paprecedentë, KPK përmbysi rezultatin e ILDKPI me justifikimin se ka harruar të dorëzojë një fletë në deklarimin e pasurisë’, deklaroi deputeti i PD, Gent Strazimiri.

Opozita ka dyshime edhe tek integriteti i tij profesional dhe akuzon Ramën se po përgatitet ta emërojë anëtar në Gjykatën Kushtetuese.

“Ai duhej justifikuar se është i vetmi që nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila para 4 vjetësh ka urdhëruar mbrarimin e mandatit të tij. Por Edi Rama po përgatitet ta emërojë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ardian Dvorani është prokuror i partisë së diktaturës, sot partia Rilindja. Dvorani ka qënë prokuror në Shkodër në periudhën më gjakatare të vrasjeve në kufi. Ardian Dvorani është komisari politik i partisë në Gjykatën e Lartë. Ai e konsideroi si shpifje që Tahiri të kishte lidhje me Habilajt dhe goditi opozitën. Dvorani do ta kalojë “Edvingun”, megjithëse është autori i vendimeve më skandaloze të viteve të fundit”, vijoi Strazimiri.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho

Opozita shënjestron edhe një tjetër vetting, atë në radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, Parlamenti do të ngrejë një nënkomision parlamentar. Por, PD nuk do të paraqesë anëtarët e saj.

“Ligji është një mekanizëm fasadë i Qeverisë, që synon që përmes propagandës të mbulojë lidhjet me krimin e organizuar si dhe të mbajë nën kontroll politik dhe të realizojë spastrime politike në Policinë e Shtetit”, deklaron kreu i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho.

Problemi më i vërtetë në Policinë e Shtetit, thotë PD, është mungesa e mbështetjes nga Qeveria të punonjësve të ndershëm të uniformave blu.

“Nuk do të kishte nevojë për ligj të posaçëm për largimin e punonjësve të korruptuar, por do të mjaftonte baza ligjore në fuqi dhe zbatimi i saj. Problematika e Policisë së Shtetit zgjidhet me vetting ndaj drejtuesve politikë të Ministrisë së Brendshme, që janë autorët e kriminalizimit të segmenteve të caktuara në radhët e policisë”, thotë kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë