Politike

Vettingu i (pa)mundur i Bashës në politikë

Në ato pak bashkëbisedime që Lulzim Basha ka rifilluar me të rinjtë, pas heshtjes më shumë se njëvjeçare, përfshi edhe zgjedhjet lokale, ai po e vë theksin tek domosdoshmëria e vettingut në politikë.

Edhe në takimin me të rinjtë e Beratit të hënën, Basha tha se vettingu në politikë u jep fund mashtrimeve dhe baltës.

“Janë bërë bashkë të dyja palët për të ndaluar vettingun e politikanëve. Ata nuk duan ta bëjnë këtë transparencë dhe ndërkohë vijojnë të akuzojnë njëri-tjetrin, të hedhin baltë dhe të mashtrojnë sepse nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Sepse vetëm me konflikt dhe baltosje ata i dekurajojnë njerëzit dhe mbeten të qetë në zullumin e tyre…”, u shpreh Basha.

Por sa realist është propozimi i Bashës i përsëritur qysh kur ishte kryetar i PD-së?

Vettingu në politikë u propozua zyrtarisht përmes një platforme 5 vjet më parë nga PD-ja. Për atë draft votoi në bllok edhe pala tjetër e Berishës sa kohë që në 2018-n PD-ja ishte në paqe me veten, por u rrëzua me 74 vota nga maxhoranca në Kuvend.

Më herët drafti u rrëzua nga Komisioni i Ligjeve me juristë edhe më profesionistë se ata që janë sot.

Lind pyetja, si Basha do të mund ta finalizojë qëllimin e tij për vettingun në politikë kur nuk e arriti atëherë kur ishin të gjithë bashkë?

Sot Basha nuk ka as grupin e mbetur të grupit parlamentar. Në mbledhjen e së hënës ishin vetëm 16 deputetë ku ra në sy mungesa e tij.

Më pas u raportua për mbledhje të kolegjit të kryetarëve (me drejtues të zgjedhur prej tij) që rrëzuan vendimet e kryetarit të grupit që e firmosi po vetë pak ditë më parë. As deputetë, as numra…Atëherë pse Basha po i mëshon një propozimi aspak realist?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë