Nga Gazeta ‘Si’- Shumë analistë po theksojnë me të drejtë këto ditë se lufta e paligjshme kundër Iranit ka potencialin të kthehet në një goditje të madhe financiare për Uashingtonin.
Por, sado serioze të jetë, ajo është vetëm episodi më i fundit në një seri veprimesh sistematike dhe vetëshkatërruese.
Pej 14 muajsh, Donald Trump ka ndërmarrë sulme të ashpra nga Shtëpia e Bardhë në të gjitha drejtimet, shumica e të cilave pritet të kthehen kundër vetë SHBA-së.
Aspekti i parë themelor i këtij dëmi të vetëshkaktuar është shkatërrimi i rrjetit të fuqishëm të aleancave që SHBA ndërtoi gjatë tetë dekadave.
Sot, asnjë aleat nuk i beson më plotësisht Shtëpisë së Bardhë. Shumë shtete mbajnë një qëndrim të kujdesshëm në publik, nga frika se mund të mbeten papritur pa mbështetje, por në prapaskenë po punojnë për të mos qenë më kaq të varura nga Uashingtoni.
Mosbesimi është rritur ndjeshëm, madje edhe në qarqe tradicionalisht pro-amerikane.
Presioni i vazhdueshëm ndaj aleatëve për çështjet e sigurisë mund të interpretohet si një ulje e kostove për SHBA dhe një forcim i NATO-s. Por kjo është një pamje sipërfaqësore.
Në realitet, shumë vende po kërkojnë të ndërtojnë pavarësi strategjike, duke dobësuar ndikimin amerikan. Marrëdhëniet janë tensionuar deri në atë pikë sa Uashingtoni po shqyrton edhe tërheqjen nga bazat e NATO-s në Europë, një tjetër sinjal alarmues. SHBA po dëmton një aleancë transatlantike që është edhe në interesin e vet.
Aspekti i dytë është goditja ndaj sistemit ekonomik global, mbi të cilin është mbështetur hegjemonia amerikane. Edhe pse ky sistem i ka dhënë mundësi Kinës të rritet shpejt, masat agresive të Uashingtonit nuk po e korrigjojnë këtë, por po krijojnë pasoja negative për vetë SHBA-në. Mosbesimi është përhapur në gjithë ekonominë globale dhe shumë vende po kërkojnë alternativa qoftë duke forcuar lidhjet me Kinën, qoftë duke ndërtuar partneritete të reja si mes BE-së dhe Mercosur-it.
Një tjetër goditje vjen nga tarifat dhe lufta tregtare. Edhe pse u vendosën masa të forta, nuk ka garanci se ato do të ringjallin industrinë amerikane. Përkundrazi, Kina ka reaguar duke shfrytëzuar kontrollin mbi lëndët e para strategjike, duke nxjerrë në pah dobësitë e SHBA-së dhe duke e detyruar të tërhiqet në disa raste.
Aspekti i tretë është braktisja e rendit ndërkombëtar që vetë SHBA ndihmoi të ndërtojë. Për dekada, administrata të ndryshme republikane dhe demokrate e kanë mbështetur këtë sistem sepse i shërbente interesave amerikane.
Sot, tërheqja nga ky rend po dobëson institucionet ndërkombëtare dhe po hap hapësirë për aktorë të tjerë, veçanërisht Kinën, që po përpiqet të paraqitet si një alternativë më e qëndrueshme.
Aspekti i katërt lidhet me rrëshqitjen demokratike brenda vetë SHBA-së.
Sipas raportit të fundit të institutit V-Dem, për herë të parë që nga viti 1965, SHBA nuk konsiderohet më një demokraci e plotë. Ky degradim, i lidhur me fenomenin e Trumpizmit, karakterizohet nga nepotizëm, paaftësi dhe vendimmarrje impulsive.
Dobësimi i institucioneve dhe sulmet ndaj figurave kyçe, si drejtuesit e Rezervës Federale, po minojnë besimin në sistemin financiar amerikan. Ndërkohë, roli i dollarit si monedhë rezervë globale ka rënë ndjeshëm, duke reflektuar këtë pasiguri.
Në planin ndërkombëtar, situata është edhe më komplekse sepse SHBA përballet sot me një rival shumë më të fortë se ish-Bashkimi Sovjetik: Kinën. Në vend që të forcojë aleancat për ta përballuar atë, Uashingtoni po ndjek politika që e bëjnë më të vështirë bashkëpunimin me partnerët dhe, në disa raste, i shtyjnë ata drejt Pekinit.
Edhe “soft power”-i amerikan po zbehet. Stili i ashpër dhe shpesh i papërmbajtur i udhëheqjes ka ulur ndjeshëm besimin dhe respektin ndaj SHBA-së në botë, sipas sondazheve të shumta ndërkombëtare.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo veprim i Trump është pa logjikë strategjike.
Ka argumente se disa politika synojnë të përgatisin SHBA për një përballje të mundshme me Kinën në të ardhmen, veçanërisht për çështjen e Tajvanit. Por nuk ka garanci që këto masa do të japin rezultatet e dëshiruara.
Rasti i Iranit është ilustrues: një konflikt i tillë mund të konsumojë burime të mëdha ushtarake, të dobësojë arsenalin, të lodhë opinionin publik dhe të përkeqësojë marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe një “fitore” e pjesshme mund të konsiderohet humbje për një superfuqi nëse kostot janë shumë të larta.
Në fund, mbetet e vështirë të parashikohet e ardhmja. SHBA mbetet një fuqi e madhe dhe nënvlerësimi i saj do të ishte gabim. Por dëmet e shkaktuara, mosbesimi, pakënaqësia globale dhe afrimi i vendeve të tjera me Kinën janë aq të thella sa presidenca e Trump, në vend që ta bëjë Amerikën “të madhe sërish”, rrezikon t’i japë goditje të rënda vetë rolit të saj dominues në botë.
Burimi: El Pais/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje