Ngjarje

Vetëvrasja e të miturit në Gjirokastër, rasti i dytë brenda dy muajsh në të njëjtën shkollë

Nga Gazeta Si- Një ngjarje e rëndë ka tronditur të dielën Gjirokastrën, ku një 17-vjeçar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në fshatin Valare. Sipas burimeve paraprake, i riu, me inicialet V.P., është vetëvarur.

Rreth orës 13:30, ai është transportuar në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës nga familjarët, por mjekët konstatuan se ai kishte ndërruar jetë më herët.

Të afërm të familjes kanë thënë se i riu qëndronte i izoluar dhe melankolik gjithë kohës por nuk ishte nën trajtim mjekësor.

Policia ka sekuestruar telefonin dhe disa sende personale të 17-vjeçarit, ndërsa pritet të merren në pyetje bashkëmoshatarë dhe nxënës të shkollës së mesme “Siri Shapllo”, ku i riu ndiqte mësimet.

Vetëm dy muaj më parë, një tjetër 17-vjeçare nga e njëjta shkollë i dha fund jetës për shkak të bullizimit që i bëhej në shkollë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë