Nga Gazeta Si- Pas vetëvrasjes së Donald Grekut në Bllokun e Sigurisë, më 13 Mars, ka reaguar me një deklaratë zyrtare Komiteti i Shqiptar i Helsinkit ku thotë se janë gjetur disa shkelje nga mjeku i bllokut të sigurisë dhe nga policët.
Sipas Komiteti Shqiptar të Helsinkit, viktima kishte deklaruar se ishte përdorues i lëndëve narkotike (kokainë, heroinë) dhe kishte kërkuar trajtim mjekësor.
Për këtë arsye stafi i Bllokut të Sigurisë (në mungesë të mjekut të institucionit) e dërguan atë në urgjencën e QSUT dhe mbas vizitës, mjeku toksikolog lëshoi recetën në të cilën shënohej se Greku ishte në gjendjen e toksikomaninsë dhe referoi që ai të ndiqej nga mjeku i Bllokut të Sigurisë. Në recetë nuk shënohej medikamenti që ai duhet të merrte.
Pasi u kthye në Bllokun e Sigurisë, Greku u vizitua nga mjeku i këtij institucioni.
Në Librin e vizitave mjekësore shënohej “narkotik, i paregjistruar në Qendrën Aksion Plus”, por nuk shënohej nëse ndaj tij duhej të jepej ose jo mjekim.
Po këtë ditë, pasdite, mjeku i institucionit i ka dhënë Grekut qetësues Xanax.
Pas marrjes së medikamentit në orën 19:10, ai është ankuar për disa shqetësime se nuk ishte në gjendje të mirë, se kishte dhimbje dhe kërkonte ti jepej Metadon.
Pas kësaj ankese, mjeku i ka rekomanduar punonjësit të sigurisë që atij ti jepej serish Xanax. I pyetur nga vëzhguesit, përse nuk i kishte dhënë Metadon, mjeku i Dhomave të Sigurisë ka sqaruar se në raportin e mjekut specialist toksikolog nuk shënohet preparati që duhej përdorur.
“Mjeku specialist toksikolog nuk kishte përcaktuar medikamentin që duhej të merrte, ndërsa mjeku i institucionit nuk e konsultoi më tej”, thuhet në raportin e Komitetit.
Një tjetër problematikë e evidentuar ishte mungesa e mbikëqyrjes së vazhdueshme.
“Nuk rezulton të jetë kontrolluar dhoma çdo 3-5 minuta, siç parashikohet nga procedurat,” thekson Komitet i Helsinkit, duke shtuar se butoni i ziles për komunikim me personelin nuk funksiononte.
Komiteti i Shqiptar i Helsinkit kërkon nga Policia e Shtetit të krijojë grupe pune për vlerësimin e kushteve në dhomat e sigurisë dhe të hartohen protokolle të veçanta për trajtimin e të ndaluarve vartës ndaj lëndëve narkotike.
Donald Greku, 46 vjeç, u arrestua për vjedhjen e të paktën 4 portofolave në urbanët e Tiranës dhe u gjet i pajetë rreth orës 01:20 të datës 13 Mars 2025, nga punonjësit e policisë në qelinë e tij në Bllokun e Sigurisë. Ai u gjet i vetëvarur me një palë tuta që kishte veshur, në rrjetën e dritares së dhomës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.