Politike

Vetëvendosja me sy nga Shqipëria, kërkon regjistrim në Gjykatë

Vetëvendosja, partia e drejtuar nga Albin Kurti në Kosovë kërkon të shtrijë aktivitetin e saj politik në Shqipëri. Ky është aksioni politik i partisë më të madhe opozitare, e cila ka njoftuar se në datën 11 mars 2019 ka dorëzuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dokumentacionin dhe kërkesën për regjistrimin e Qendrës “Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri.
Ky aksion i ri politik është njoftuar nga Boiken Abazi, i cili mësohet se është votuar unanimisht si Drejtor Ekzekutiv që do të përfaqësojë këtë lëvizje në Shqipëri. Abazi është sekreti për Marrëdhëniet me Jashtë i kësaj partie.
Sipas njoftimin të nxjerrë, anëtarët e Bordit të kësaj organizate, të gjithë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë, janë: Enis Sulstarova (Kryetar i Bordit i votuar unanimisht), Liburn Aliu, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha, Dejona Mihali, Sami Kurteshi, Arbër Zaimi dhe Gearda Demiraj. Përbërja e këtij bordi është mikse me qytetarë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kështu anëtar i Bordit është profesori Hysamedin Feraj, Enis Sulstarova, si dhe deputeti i Vetëvendosjes në Kosovë, Liburn Aliu apo dhe Glauk Konjufca.
Themeluesit janë të gjithë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë janë: Glauk Konjufca, Gearda Demiraj, Dejona Mihali, Enis Sulstarova, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha dhe Boiken Abazi.
Abazi nëpërmjet një statusi në Facebook thekson se presim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendimin në lidhje me regjistrimin e kësaj Qendre brenda afateve ligjore.

Boiken Abazi, për faqësuesi zyrtar i Vetëvendosjes në Tiranë


Nisma si paralajmërim për bashkim kombëtar
Lëvizja më e fundit e Vetëvendosjes pritet të shkaktojë jo pak reagime si brenda në Shqipëri, por edhe në Ballkan, pasi synimi kryesor i kësaj partie politike është bashkimi kombëtar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe kjo është paralajmëruar dhe nga Abazi, cili ka shpjeguar edhe objektivat e kësaj lëvizjeje.
“Qëllimi dhe fusha e veprimtarisë së organizatës janë si në vijim: Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri funksionon bazuar mbi parimin e barazisë, të demokracisë, dhe të lirisë së vullnetit e drejtësisë sociale për të rritur vetëdijen dhe angazhimin në lidhje me çështjen kombëtare shqiptare dhe progresin shoqëror në të gjitha dimensionet dhe problematikat e tyre, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Qendra synon të japë mbështetjen për ushtrimin e së drejtës demokratike për vetëvendosje të popullit shqiptar për realizimin e bashkimit të shtetit të pavarur të Kosovës me Shqipërinë, duke u bazuar në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parimin e vetëvendosjes së popujve të shprehur në Kreun 1 të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, thekson Abazi.
Qendra – thotë njoftimi – do të punojë në rritjen e vetëdijes se bashkimi kombëtar dhe integrimi i Shqipërisë, dhe më gjerë i shqiptarëve, në strukturat Euro-Atlantike (si Bashkimi Evropian dhe NATO) janë procese që duhen realizuar paralelisht dhe e plotësojnë njëri-tjetrin. Ajo ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe aktivizimit qytetar në Republikën e Shqipërisë mbi problematikat e shqiptarëve që jetojnë në treva autoktone shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe anasjelltas.

Disa nga themeleuesit e Vetëvendosjes në Tiranë


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri deklaron se “synon ta realizojë qëllimin përmes ngritjes së urave të komunikimit dhe projekteve të bashkëpunimit me shoqërinë civile, sferën akademike dhe intelektuale, sindikatat dhe studentët, në Shqipëri, Kosovë e në trevat shqiptare të rajonit të Ballkanit, si dhe me bashkatdhetarët që jetojnë në mërgim”.
Qendra e Vetëvendosjes thotë se synon të arrijë “bashkëpunimin me organizata shqiptare dhe të huaja që kanë vlera të përbashkëta me Qendrën; Hartimin e analizave në lidhje me çështjet kombëtare, ekonomike, institucionale, gjeopolitike, arsimore, shëndetësore, sindikaliste, biznesore, mjedisore, të drejtave të grave dhe socio-kulturore që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien shoqërore dhe çështjen kombëtare shqiptare, si dhe organizimin e prezantimeve publike për to; Përfshirjen në veprimtari publike të qytetarëve të profesioneve dhe rajoneve të ndryshme në lidhje me problematikat shumëdimensionale të prodhimit e të krijimit; Realizimin dhe pjesëmarrjen në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare; Organizimin e fushatave publike ndërgjegjësuese në lidhje me qëllimin e Qendrës; Nxitjen e angazhimit aktiv dhe demokratik qytetar në lidhje me publiken”, thekson Abazi.
Sipas Abazit, synohet gjithashtu analiza e marrëdhënieve mes dy Republikave shqiptare në lidhje me bashkëpunimin institucional në zbatimin e marrëveshjeve ndërqeveritare; marrëdhëniet tregtare, bashkë me avokimin për eliminimin e barrierave që pengojnë krijimin e një tregu të përbashkët dhe unionin doganor Shqipëri–Kosovë.

Vetëvendosja, krijimi dhe shtrirja në Shqipëri
Lëvizja Vetëvendosje u krijua në qershor të vitit 2004, themelues i saj është Albin Kurti. Një nga pikat politike të lëvizjes është të mbajë një referendum mbi bashkimin me Shqipërinë. Zanafilla e Vetëvendosjes ndodhet në aktivitetet dhe aksionet e Rrjetit të Aksionit për Kosovën (KAN). KAN u themelua më 1997, nga një grup aktivistësh ndërkombëtarë me në krye shkrimtaren amerikane Alice Mead. KAN fillimisht u vu në përkrahje të nismave qytetare kundër okupimit dhe diktaturës serbe në Kosovë. Vetëvendosja nisi një lëvizje si protestë. Më 10 shkurt 2007 në rrugët e Prishtinës u zhvillua një demonstrim më i madh i organizuar nga Vetëvendosje, ku morën pjesë më shumë se 60,000 vetë. Lëvizja ka organizuar gjithashtu protesta përpara selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe në Kosovë gjatë vizitave të krerëve të shteteve të Serbisë ose ndërmjetësve të negociatave. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, fitoi 31 vende deputetësh, duke qenë partia e parë, por partitë e tjera LDK, PDK, AAK dhe NISMA formuan një koalicion qeverisës mes tyre. Për shkak se në programin e saj kryesore është bashkimi kombëtar, mes dy shteteve shqiptare Shqipërisë dhe Kosovës, Vetëvendosja nuk para pëlqehet nga faktori ndërkombëtar. Kurti dha dorëheqjen fillimisht nga drejtimi i Vetëvendosjes, ku drejtimin e mori Visar Ymeri. Në janar të vitit 2018, Albin Kurti rizgjidhet në krye të Lëvizjes, ndërsa kjo do të shënonte edhe çarjen e kësaj partie. Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu dhe Shpend Ahmeti (kryetari i Komunës së Prishtinës) do të shkëputeshin duke krijuar Partinë Socialdemokrate.

Visar Ymeri dhe Shpend Ahmeti (djathtas), dy drejtuesit e rinj të PSD-së të shkëputur nga Vetëvendosja


Kjo çarje bëri që në Parlament Vetëndosja me nga 31 deputetë, të mbesë me 19, ndërsa 12 të zgjedhurit e tjërë t’i bashkohen PSD-së. Zgjedhjet e fundit parlamentare do të shënonin edhe kulmin e marrjes së votave të kësaj lëvizjeje, e cila dhe më parë kishte arritur të fitonte edhe komunat e rëndësishme si Prishtina, Prizeni apo Kamenica.
Vetëvendosja prej kohësh kishte shpallur synimet për t’u shtrirë në Shqipëri. Albin Kurti ka zhvilluar disa takime në Tiranë, duke synuar që të sensibilizojë opinionin publik për zhvillimet sa i përket lëvizjes dhe arsyeve për realizimin e bashkimit kombëtar, ndërsa argumentonte pse janë kundër bisedimeve mes Prishtinës dhe Serbisë.

Albin Kurti gjatë një takimi me studentë në Tiranë, shkurt 2019

Përfaqësuesit e lëvizjes Vetëvendosja ndërkohë kanë mbështetur edhe protestën më të fundit të studentëve shqiptarë përpara Ministrisë së Arsimit. Aktivistët e kësaj lëvizjeje iu bashkuan kërkesave të studentëve kundër qeverisë “Rama”. Kurti do të zhvillonte një takim me studentëve e pedagogëve në Fakultetin e Shkencave Sociale, ku i ka inkurajuar të vazhdojnë qëndresën. “Është në pikëpyetje ardhmëria e shoqërisë shqiptare. Ju bëj thirrje të keni organizim të konsoliduar. Organizimi ju fuqizon. Arsimi nuk është luks”, ka deklaruar Kurti në takim në shkurt të 2019-ës.

Albin Kurti gjatë takimit me presidentit Meta, në Tiranë

Ndërkaq, Kurti do të kontestonte edhe emërimin e Gent Cakajt si Ministër i Jashtëm në kohën kur debati politik në Shqipëri po fokusohej ndërmjet presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Kurti do të zhvillonte një takim në Tiranë me presidentit Meta në kulmin e kësaj krize dhe më pas do të lëshonte deklaratën e fortë, duke mbështetur refuzimin e bërë nga presidenti. “Është për t’u mbështetur vendimi i drejtë i marrë sot nga Presidenti Ilir Meta, për refuzimin e dekretimit të z.Gent Cakajt si Ministër për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë. Dëshirojmë ta sqarojmë opinionin e gjerë publik se Cakaj ka qenë i anëtarësuar formalisht në Lëvizjen VETËVENDOSJE! para vitit 2011. Ne nuk e dimë datën e saktë të largimit të tij nga Lëvizja sepse ai nuk i ka dhënë asnjë shpjegim organizatës”, thuhej në deklaratën për shtyp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë