Nga Gazeta Si- Vetëvrasja ishte shkaku i tretë kryesor i vdekjes tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç për të dy gjinitë në 2021, pas aksidenteve rrugore dhe vrasjeve.
Për gratë, vetëvrasja ishte shkaku i dytë, dhe për meshkujt, i treti kryesor i vdekjes në këtë grupmoshë.
Në studimin e fundit të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thuhet se në vitin 2021, shumica e vetëvrasjeve ndodhën në vendet me të ardhura të larta dhe të mesme (73%), ndërsa shkalla më e lartë e vetëvrasjeve për gratë ishte në vendet me të ardhura të ulëta-mesme dhe për meshkujt ishte në vendet me të ardhura të larta.
Midis viteve 2000 dhe 2021, shkalla globale e vetëvrasjeve ra me 35% ndërsa në Europë ra me 48 për qind.
I vetmi rajon me rritje ishte Amerika.
Në Shqipëri, 78 persona kanë kryer vetëvrasje në 2021, ndërsa Italia kishte numrin më të lartë të vetëvrasjeve, me 4176 persona që kanë kryer vetëvrasje, ndjekur nga Serbia me 1035, Maqedonia 107 dhe Mali i Zi 68 të vetëvrarë.
Ajo që është shqetësuese sipas OBSH-së, është fakti se vetëm 60 nga 183 shtetet anëtare kishin të dhëna cilësore dhe Shqipëria ishte mes vendeve që kanë të dhëna jo cilësore për jetën e njerëzve.

“Shumica e vetëvrasjeve ndodhin në vendet ku të dhënat e regjistrimit jetësor me cilësi të mirë janë urgjentisht të nevojshme”, shkruhet në raport, ku ndër të tjera thuhet se përmirësimi i mbikëqyrjes së vetëvrasjeve është i rëndësishëm për përcaktimin e prioriteteve, monitorimin dhe vlerësimin.
Lloji dhe kompleksiteti i modeleve për vlerësimet globale të shëndetit ndryshojnë shumë midis grupeve kërkimore/institucionale dhe vlerësimeve të shëndetit.
Modelet më komplekse japin pasiguri. Kur janë të disponueshme të dhëna me cilësi të lartë, vlerësimet nga institucione të ndryshme zakonisht janë të njëjta.
Mospërputhjet kanë më shumë gjasa të lindin për vendet me të dhëna me cilësi të ulët, të pakta ose potencialisht të njëanshme.
OBSH shkruan se nëse nuk merren masat e duhura, jetë do të humbasin, edhe pse vetëvrasjet janë të parandalueshme.
Udhëzuesi i zbatimit ‘LIVE LIFE’ për parandalimin e vetëvrasjeve përshkruan katër ndërhyrje efektive të bazuara në prova për të parandaluar vetëvrasjen. Këto janë:
-kufizimi i aksesit në mjetet e vetëvrasjes, të tilla si pesticidet dhe armët e zjarrit shumë të rrezikshme;
-bashkëveprimi me median për raportimin e përgjegjshëm të vetëvrasjes;
-nxitja e aftësive jetësore socio-emocionale tek adoleshentët;
-identifikim, vlerësim, menaxhim dhe ndjekje e hershme e kujtdo që ka sjellje që tregojnë se mund të lëndojë veten.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.