Gazeta Si – Kombëtarja shqiptare e veteranëve të futbollit mori pjesë në turneun tradicional tashmë për nder të Fadil Vokrrit, ish-lojtarit të madh kosovar dhe ish-presidentit të FFK-së. Turne që zhvillohet në ditën e lindjes së Vokrrit, me pjesëmarrjen e emrave më të njohur të futbollit.
Turneu nisi me një minutë heshtje në nderim të figurës së Vokrrit. Të gjithë pjesëmarrësit më parë vendosën tufa me lule në shtatoren e ish-futbollistit.

Në ndeshjen e parë të turneut luajtën veteranët e Prishtinës dhe Llapit, me të cilat Fadil Vokrri luajti në karrierë. Pastaj ishte radha e sfidës mes veteranëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.
Kosova fitoi 2-1 në një deshje vëllazërore, që dhuroi emocione. Xhavit Mehmeti dhe Sheremet Isufi shënuan për Kosovën, kurse për Shqipërinë realizoi Mërgim Mavraj me penallti.
Në përbërje të skuadrës shiptare ishin emra si, Ilir Lame, Haxhi Ballgjini, Agustin kola, Ervin Fakaj, Mërgim Mavraj, Blendi Nallbani dhe të tjerë. Pjesë e delegacionit ishin Sulejman Mema, Sulejman Demollari, Sulejman Starova etj.

Presidentët e dy federatave, Agim Ademi dhe Armand Duka, më parë bënë homazhe në bustin e legjendës Fadil Vokrri. Ishte miqësorja e dytë mes veteranëve të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, pas asaj të 17 shkurtit në Prishtinë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




