Në Shqipëri nuk do të vijnë vetëm 300 refugjatëve afganë, të cilët do të strehohen në konviktet në qytet studenti por më shumë. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në fakt pritet të mbërrijnë mbi 1 mijë vetë.
Të tjerë qytetarë që i arratisen regjimit të talibanëve pritet të mbërrijnë javën e ardhshme, kur SHBA të shpërndajë në vendet aleate qytetarët e evakuuar nga aeroporti i Kabulit, të cilët po qendrojnë për momentin në Katar.
Në tre godinat e zgjedhura në Qytet Studenti, 24, 25 dhe dy, mund të strehohen maksimumi 700 emigrantë. Por ku do të strehohen pjesa e mbetur e qytetarëve afganë?
Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme i thonë Gazetës Si së emigrantët afganë që nuk do të mund të strehohen fillimisht në konvikte do të dërgohen në hotele kryesisht në Durrës.
“Në bashkëpunim me ambasadën Amerikane, po shqyrtohen dhe po veçohen ato më të përshtatshmet, bazuar në kapacitet që kanë. Po ashtu po shikon me kujdes edhe kushtet e sigurisë ”, thonë burimet. Sipas asaj që mëson gazeta Si, deri më tani janë piketuar dy hotele në Tiranë dhe disa të tjera në Durrës.
Gazeta “Si” mëson se qeveria shqiptare planifikon të zhvendosë pas 3 javësh pjesën më të madhe ë emigrantëve afganë në qytete bregdetare, në hotele. Nga aty ata do të qëndrojnë prej një periudhe prej 3 deri në 6 muajsh, derisa qeveria amerikane t’u sigurojë vizat për të emigruar në SH BA, apo vendet europiane.
Qëndrimi edhe i atyre që do të strehohen fillimisht në konvikt mësohet se është i përkohshëm dhe më pas kur të nisin edhe universitetet, afganët do të dërgohen në hotele. Për ta janë vënë në dispozicion edhe stafe mjekësore dhe sigurie, ku do t’iu nënshtrohen një testi të shpejt anti-COVID si edhe vizita të tjera për gjendjen shëndetësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




