Fundjava që lamë pas ishte e vështirë për shumicën e futbollistëve të Kombëtares. Disa kanë qëndruar në stol, disa kanë luajtur me skuadrat e tyre dhe janë mundur. I vetmi që ka shijuar një të diel fantastike ishte Keid Bare, i cili mundi Realin e Madridit me Espanjolin e tij.
Mesfushori i Kombëtares luajti 90 minuta në fitoren 2-1 ndaj Realit. Bare ishte një “digë” e fortë para mbrojtjes dhe ishte një nga më të vlerësuarit për Espanjolin në këtë ndeshje. Vjen në Kombëtare i karikuar dhe plot besim për ndeshjet me Hungarinë dhe Poloninë. Titullar në Spanjë ishte edhe Ivan Balliu, që rikthehet me fanellën kuqezi. Ai luajti 90 minuta në humbjen 1-0 të Rajo Valekanos ndaj Osasunës.

Në Itali panorama e kuqezinjve është tjetër. Portierët Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha kanë qëndruar sërish në stol në kampionat me skuadrat e tyre dhe kjo nuk është pozitive për Kombëtaren. Elseid Hysaj ishte titullar në humbjen 3-0 të Lacios ndaj Bolonjës dhe në pjesën e dytë u ndërrua nga trajneri Sarri, pasi paraqitja e tij nuk ishte në nivelin e duhur.
Marash Kumbulla, pasi luajti në Ligën e Konferencës titullar, u ul në stol sërish nga Mourinjo. Roma mundi 2-0 Empolin e Ismajlit, që nuk ishte i gatshëm për këtë ndeshje, ndërsa Bajrami u aktivizua si zëvendësues. Rei Manaj luajti ndeshjen e parë si titullar me Specian, që u mund thellë nga Verona. Sulmuesi i Kombëtares ishte protagonist i një rasti flagrant të humbur gjatë ndeshjes.
Në fushë nga minuta e parë, si gjithmonë, ishte Berat Gjimshiti. Lojtari i Atalantës bëri një paraqitje relativisht të mirë ndaj Milanit, ku Atalanta u mund 2-3. Këtë fundjavë munguan golat e kuqezinjve në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




