Formacioni fitues nuk ndryshohet. Është një nga rregullat më të njohur në futboll, por në rastin e Shqipërisë ndryshimet janë të detyruara, sepse në krahasim me ndeshjen me Kazakistanin, mungojnë Abrashi dhe Hysaj. Në ndeshjen e sotme me Bjellorusinë, e fundit në Ligën e Kombeve, vendoset kreu i grupit dhe kuqezinjtë janë “të dënuar” të fitojnë për të përmbushur objektivin.
Në “Air Albania Stadium”, në orën 16:00, Shqipëria do të zbresë në fushë me një formacion sulmues, kjo është e sigurt. Pak më sulmues ndoshta se ndaj Kazakistanit, pasi Doka, i cili mendohet të zëvendësojë Hysajn e prekur nga Covid-19, është një lojtar krahu më sulmues se shkodrani. Në fushë nga minuta e parë pritet të jenë sulmuesit Cikalleshi, Manaj dhe Uzuni, ky i fundit në të majtë të mesfushës me 5 lojtarë. Vendin e Abrashit të skualifikuar, siç pohoi edhe trajneri Reja në konferencë, mund ta zërë Laçi, por edhe Ramadani është një alternativë.

Klaus Gjasula pësoi një dëmtim në fundin e ndeshjes me Kazakistanin dhe ka qenë në dyshim gjithë kohën, megjithatë pritet që të shtrëngojë dhëmbët për këtë sfidë të rëndësishme, pasi i duhet shumë skuadrës. Një vend titullari edhe për Ledian Memushajn, lojtari që ekzekuton gjithë goditjet standarde, që mund të vendosin ndeshje të tilla.
Në mbrojtje dhe në portë nuk ndryshon asgjë në raport me ndeshjen e fundit. Ky repart është i konsoliduar, por edhe alternativat për momentin janë të kufizuara. Në mungesë të Kumbullës, Dermakut dhe Mihajt, trajneri Reja beson te treshja Gjimshiti-Ismajli-Veseli. Kuadratin e portës e mbron kapiteni Etrit Berisha. Pavarësisht mungesave të shumta, kuqezinjtë i kanë të gjitha kapacitetet të marrin 3 pikët për ta mbyllur në vend të parë Ligën e Kombeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




