Kristiano Ronaldo nuk i trembet aspak Gjykatës në Amerikë dhe “furtunës” së ngritur ditët e fundit, pas akuzave të ish-modeles Kathrin Majorga për përdhunim. Kjo çështje nuk ndikon në jetën e portugezit, i cili, sipas “Don Balon”, do të luajë me Juventusin dy sezone dhe më pas do ta transferohet pikërisht në Amerikë, tek Orlando Siti. Klubi nga Florida i ofron lojtarit një kontratë me 50 milionë dollarë në vit dhe të drejtën për t’u bërë më pas pronar i ekipit.
“Juventusi do të jetë klubi i tij i fundit, me fanellën bardhezi do të mbyllë një karrierë të jashtëzakonshme”, – shprehej agjenti i Ronaldos, Jorge Mendes, 24 orë pas mbylljes së marrëveshjes për kalimin e asit portugez nga Reali tek ekipi torinez. Por portali i njohur spanjoll, “Don Balon”, zbulon prapaskenën për transferimin e Ronaldos në Amerikë. Një lajm që tregon se ai nuk ka frikë nga sistemi amerikan i drejtësisë, përderisa mendon të shkojë të jetë pikërisht aty, pas dy sezoneve me Juventusin.
Pronari i Orlando Sitit, ku ka luajtur edhe Kakà, ka kontaktuar me Mendesin, duke marrë – gjithmonë sipas “Don Balon” – miratimin e agjentit të portugezit. Nga ana tjetër, “L’Equipe” në Francë po përpiqet të sjellë fakte të reja për akuzat për përdhunim nga ish-modelja amerikane ndaj Ronaldos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.