Qytetet në të gjithë botën po përballen me probleme si përmbytjet, temperaturat e larta, mungesë uji dhe dëmtim të infrastrukturës së tyre nga moti ekstrem, i cili po përkeqësohet gjithnjë e më shpesh me ndryshimin e klimës. Një studim i 800 qyteteve, i kryer nga Projekti i Zbulimit të Karbonit, zbuloi se vitin e kaluar rreth 43% e tyre, që përfaqësonin një popullësi të kombinuar prej 400 milionë njerëzish, nuk kishin një plan për t’u përshtatur me krizën e klimës.
Kufizimet buxhetore u përmendën si arsyeja kryesore nga rreth 25% e qyteteve. Sondazhi zbuloi se vitin e kaluar 422 qytete kishin 1142 projekte për t’u përshtatur me krizën e klimës por që duan financim, duke kërkuar rreth 72 miliardë dollarë në investime.
Kyra Appleby, drejtoresha globale e CDP (organizatë jofitimprurëse që ndihmon kompanitë dhe qytetet të zbulojnë ndikimin e tyre në mjedis), tha se përshtatja ndaj ndikimeve të ndryshimit të klimës është më e ndërlikuar për t’u financuar sesa veprimi i emetimeve. Ka përfitime të mëdha nga përshtatja dhe qëndrueshmëria, por ato nuk shfaqen në bilancin e gjendjes. Vetëm një pjesë e shpenzimeve të rimëkëmbjes (nga pandemia e koronavirusit) po shkon për ndryshimin e klimës dhe akoma më pak drejt adaptimit.
“Instalimi i gjenerimit të energjisë së rinovueshme, siç janë panelet diellorë, mund të gjenerojë një kthim financiar dhe projektet e efiçiencës së energjisë kursejnë para mjaft shpejt, por përfitimet e përshtatjes me ndikimet e motit ekstrem janë më pak të dukshme dhe shpesh më të përhapura”, thotë Appleby.
Gjithashtu dhe ulja e rrezikut të katastrofës dhe dëmtimit nga ngjarjet ekstreme të motit të tilla si përmbytjet ose thatësira, përshtatja dhe rritja e rezistencës ndaj ndryshimit të klimës sjell shumë përfitime për njerëzit, përfshirë ajrin dhe ujin më të pastër. Për shembull, rritja ose përmirësimi i hapësirave të gjelbërta, të tilla si parqe dhe hapësira të tjera publike, është një nga mënyrat kryesore për përshtatjen e qyteteve dhe gjithashtu mund të përmirësojë shumë shëndetin publik dhe mirëqenien mendore.
Vende që kanë kufizimet buxhetore si një pengesë për t’u përshtatur me emergjencën e klimës përfshinin Southend në Angli, Rio de Janeiro në Brazil dhe Columbus në Amerikë.
“Është një përzierje me të vërtetë e larmishme e qyteteve në të gjithë botën që po e përjetojnë këtë si një problem”, tregon Appleby.
Ajo tha se eksperienca e pandemisë, kur qytetet u braktisën gjatë izolimit, i ka bërë njerëzit më të vetëdijshëm për “shkatërrimin” që po i bëjnë vendit.
“Pandemia i ka hapur sytë shumë njerëzve për problemet e planetit por që të ndryshojnë gjërat duhet që qytetet të kenë fonde për t’u bërë vende më të pastër në planin afatgjatë”.
Bizneset mund të sigurojnë një burim tjetër financimi për disa projekte adaptimi. Tre të katërtat e qyteteve të anketuara nga CDP tashmë ishin duke punuar me biznese për çështje të qëndrueshmërisë, ose kishin plane për ta bërë këtë brenda dy viteve të ardhshme.
Appleby tha se disa qytete po përshtaten mirë me krizën e klimës, duke përfshirë Londrën, Bristol, Los Anxhelos dhe Athinën. Athina po i bën kulmet e shtëpive të gjelbërta dhe po mbjellë pemë për të bërë hije në rrugë ndërsa Bristol është duke ndërtuar më shumë se 10 milje (17 km) mure që bmrojnë nga përmbytjet.
Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



