Teknologji dhe Inovacion

Vetëm 6% e popullsisë mbi 55 vjeç dinë të përdorin E-Albania

Shërbimet publike online në Shqipëri gjejnë pak përdorim nga moshat e vjetra.

Të dhënat nga INSTAT dëshmojnë se vetëm 6% e shqiptarëve mbi 55 vjeç ishin në gjendje që të shkarkonin ose të printonin dokumentet nga E-Albania në 2022-shin.

Ndërsa në grupet e tjera të popullsisë, përdorimi i E-Albania për shkarkimin e dokumenteve ka qenë më i lartë, ku më i shpeshtë kryesisht ka qenë në grupmoshën 25-34 vjeç, me rreth 33%.

Në fund të vitit 2019, Qeveria shqiptare vendosi fillimin e “Revolucionit Digjital të shërbimeve publike” ndërsa nga 1 maji i vitit të shkuar filloi jo vetëm aplikimi për shërbime publike, por edhe ofrimi i dokumentit përfundimtar me vlerë ligjore të plotë.

Shqipëria tani ofron 95% të të gjitha shërbimeve publike vetëm online me vulë/apo me nënshkrim elektronik në fund.

Deri me 2026 qeveria shqiptare synon digjitalizim të mëtejshëm të shërbimeve publike. Planifikohet integrimi i teknologjive të reja si blockchain, inteligjencë artificiale, për të përmirësuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve.

Në 2022-shin përdorimi i internetit nga familjet, bizneset e individët ka shënuar rritje po sipas të dhënave nga INSTAT.

Bazuar në rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit (TIK) gjatë 2022-shit nga grup-mosha 16 – 74 vjeç, e përdorin internetin 82.6% e popullsisë, nga të cilët 91.6% e përdorin disa herë gjatë ditës.

Individët e moshës 16-74 vjeç që kanë përdorur internetin në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës, përfaqësojnë 82.6% të popullsisë në studim.

Aktivitetet që kryhen nëpërmjet internetit në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës të cilat kanë regjistruar rritjet më të larta janë: dërgimi / marrja e email-it (11.4 pikë përqindje), për të lexuar lajme online / gazeta apo revista (11.3 pikë përqindje) si dhe pjesëmarrja në votime online për çështje shoqërore apo politike (rreth 10.3 pikë përqindje).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë