Financa Personale

Vetëm 12 % e shqiptarëve kanë mundësi të bëjnë pushime larg shtëpisë

Një mikesha ime e afërt që jeton në Kanada më pat thënë se në vendin ku ajo ka emigruar, mirëqenia e qytetarëve identifikohej me sa palë pushime bënin në vit.

Por, për pjesën më të madhe të shqiptarëve ky fakt tingëllon si ironi e hidhur.
Këtë e vërteton edhe një anketë e Komisionit Europian, i cili ka pyetur qytetarët e vendeve anëtare dhe atyre aspirante se a do të mund të përballonin një javë pushime në vit larg shtëpisë nëse do të dëshironin?

Përgjigja e anketimit rezultoi se 81% e shqiptarëve nuk mund të përballojnë dot një javë pushime larg shtëpisë nëse do të dëshironin.

Anketa e KE-së 2016 është për cilësinë e Jetës në të cilën janë mbledhur të dhëna të krahasueshme dhe të besueshme në të gjithë Europën. Për herë të pare në këtë anketë është përfshirë edhe Shqipëria. Po ashtu Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Anketa në këto vende është zhvilluar në periudhën nëntor 2016 – mars 2017, me një kampion të zgjedhura rastësisht prej 1,000 banorësh për shtetet e vogla dhe 1300 banorësh për shtetet më të mëdha. Në të gjithë Europën janë zhvilluar në total 36,900 intervista.
Pamundësia për të bërë pushime e shqiptarëve është më e madhe se në të gjitha vendet e rajonit. Sipas anketës së KE, në Malin e Zi vetëm 66% e të pyeturve janë përgjigjur se nuk kanë mundësi që të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë, në Maqedoni 65%, në Serbi 60%, Turqi 48%.

Ajo që vihet re në rezultatet e anketimit përqindja më e lartë e qytetarëve të BE-së që nuk mund të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë, janë vendet të cilat konsiderohen si destinacione të preferuara kryesisht për pushimet e verës. Në Greqi 68% e qytetarëve nuk mund të përballojnë një javë pushime në vit larg shtëpisë, në Rumani 66%.

Nga anketa rezulton se vetëm të pasurit mund të përballojnë lehtësisht pushime larg shtëpisë. 96% e të anketuarve që i përket nivelit të parë të ardhurave më të ulta nuk kanë mundësi që të përballojnë një javë pushime, duke mbajtur sërish nivelin rekord në të gjithë Europën. Edhe për individët që i përkasin grupit të dytë të të ardhurave, janë më shumë se 90% që janë përgjigjur se nuk përballojnë dot pushimet.

Teksa individët që i përkasin nivelit të tretë (nga katër që janë gjithsej) janë përgjigjur se në 88% të rasteve i përballojnë 1 javë pushime larg shtëpisë nëse do të dëshirojnë.
Sipas anketës së Cilësisë së Jetës, rreth 48% e individëve të pyetur kanë thënë se nuk përballojnë dot pushime. Përqindjen më të lartë e kanë serbët, ku sipas anketës rreth 51% e tyre kanë thënë se nuk shkojnë dot me pushime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë