Futboll

Vetëm 1 gol në 17 gjuajtje! Inzagi duhet të rindezë sulmin ‘e fikur’ të Interit

Gazeta Si – Shifrat thonë se Xhenoa mund të jetë kundërshtari ideal për të rimarrë korsinë e titullit. Interi i ka fituar 7 ndeshjet e fundit ndaj kësaj skuadre, me golaverazhin 25-0. Por shifrat thonë edhe që skuadra e Inzagit së fundi ka humbur avantazhin, si në renditje, ashtu edhe për sulmin më të mirë.

Në 6 ndeshjet e fundit (ka edhe atë me Bolonjën për të rikuperuar), zikaltrit kanë shënuar vetëm 6 gola, ndërkohë që në fazën e parë kishin mesataren 2.6 gola për ndeshje. Dhe për të shënuar ata 6 gola Interi ka pasur nevojë për 100 gjuajtje! Ky është një konfirmim se skuadra prodhon shumë, por edhe shpërdoron shumë. Për 1 gol ka nevojë për 17 gjuajtje!

Simone Inzagi, trajneri i Interit. Gazeta Si, 23 shkurt 2022

Në bankën e të akuzuarve janë sulmuesit të parët, me të përkëdhelurin Lautaro Martinez (edhe nga tifozët) që nuk shënon prej më shumë se dy muajsh, Sançez pak bindës në ndeshjet e fundit dhe Xheko që ndaj Sasuolos humbi të pamundurën. Boshnjaku në fakt i ka dhënë Interit dy fitoret e fundit (ndaj Venecias dhe Romës në kupë, përveç barazimit ndaj Napoli).

Edhe mbrojtja e Interit e ka ulur mesataren në krahasim me pjesën e parë të sezonit, por problemi i sulmit është më i madh dhe përfshin gjithë skuadrën. Inzagi shpreson ta zgjidhë në tre mënyra. I pari ka të bëjë me kthjelltësinë para portës. Nga 100 gjuajtjet e bëra në kampionat në ndeshjet e kthimit, vetëm 53% e tyre kanë gjetur kuadratin e portës dhe vetëm 6 kanë shkuar në rrjetë.

Në 17 tentativa Interi shënon 1 gol. Më pak se Interi në fazën e dytë kanë shënuar vetëm Xhenoa (3), Bolonja (4), Udineze dhe Venecia (5). Dhe vetëm Xhenoa (23) dhe Bolonja (18) kanë pasur nevojë për më shumë gjuajtje.

Lautaro Martinez, sulmuesi i Interit. Gazeta Si, 23 shkurt 2022

Historia e çdo sulmuesi shenjohet nga momentet kur shënon dhe kur nuk shënon. “Tap-in”-i i dështuar nga Lautaro ndaj Sasuolos tregon momentin e tij të vështirë. Impenjimi nuk i ka munguar kurrë, argjentinasi lufton fort dhe ushtron presion, por ka humbur qartësinë në zonë dhe kërkon faulle që nuk ekzistojnë. Por edhe Xheko dhe Sançez duhet të jenë sërish gjakftohtë përpara portierit kundërshtar.

E gjitha faza ofensive duhet të bëjë diçka më shumë, pa humbur ekuilibrin në fushë. Në 7 ndeshjet e fundit në kampionat, i vetmi gol nga mesfushorët ishte ai i Barelës ndaj Venecias. Kanë shënuar edhe Dumfris, Bastoni, Shkriniar, Perisiç dhe Dzeko (2), kështu që mesfushorët duhet të kthehen si në kohërat e bukura. Barela është më pak shpërthyes këtë vit, Çalhanoglu ka dhënë ndonjë shkëndijë, kurse Brozoviç penalizohet nga pozicioni i tërhequr. Me kthimin e kroatit, Barela dhe Çalhanoglu do të jenë më të lirë.

Me Kaisedon ende objekt misterioz dhe Korrean të dëmtuar, tre sulmuesit e tjerë janë shtrydhur. Inzagi hoqi dorë në ndeshjen e fundit nga 3-5-2-shi për t’i hedhur në fushë të tre bashkë, por më kot. Sulmi zikaltër duhet rindezur sa më parë të jetë e mundur, Inzagi e di mirë. Interi ka nevojë për golat e humbur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë