Autoritetet janë ende në fazën e dyshimeve se pas tragjedisë së e zbuluar mbrëmjen e së enjtes në zonën e Kombinatit, ku e ëma dhe njëra prej vajzave të saj ndërruan jetë nga vetëflijimi duke refuzuar ushqimin dhe ujin dhe vajza tjetër u shoqërua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, qëndrojnë motive fetare.
Rasti ka nxitur një reagim publik të ngjyrosur me nota zemërimi ndaj sekteve fetare që dyshohet se nxisin vetëvrasjet e këtij lloji, që ashtu siç gazeta “Si” përcolli në artikullin e së enjtes me titullin “Vdekja e nënës dhe së bijës- U vetëflijuan duke refuzuar ushqimin. Çfarë po ndodh?” nuk ndodhin për herë të parë në vendin tonë.
Në këtë këndvështrim, sociologët ngrenë alarmin dhe u kërkojnë strukturave shtetërore që të reagojnë duke shtuar vigjilencën dhe kontrollin ndaj predikimeve të grupimeve, apo sekteve fetare të ndryshme nëse ato përputhen me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
“Unë besoj që është e nevojshme një lloj vigjilence më e shtuar shtetërore për praninë e sekteve të tilla që nxisin, apo që mund të vënë nën presion individë të caktuar që në emër të disa ritualeve absurde, apo disa dogmave pa asnjë vlerë fetare dhe humane, detyrojnë njerëzit të bëjnë sakrifica supreme, sakrifica vetëvrasëse. Edhe pse ky rast nuk është i vetëm, mund të ketë pasur edhe raste të tjera në shoqërinë shqiptare që kërkojnë një observim shumë të kujdesshëm nga institucionet shtetërore, sidomos nga Komiteti Shtetëror i Kulteve, që është një organ shtetëror, që ka detyrë intervenimin, investigimin dhe vlerësimin e përputhshmërisë të parimeve fetare me parimet ligjore dhe kushtetuese të shtetit shqiptar. Kemi të bëjmë me humbje jetësh me sakrifica absurde, kriminale. Mendoj që duhet të bëhen objekt i diskutimit të gjithë social dhe shtetëror. Shteti duhet të shikojë përgjegjësitë e veta. Duhet të investigojë dhe kontrollojë më mirë këto institucionet fetare që kryejnë aktivitetin në Shqipëri në mënyrë që të mbrojmë njerëzit nga këto gracka”, thotë për gazetën “Si”, sociologu, Gëzim Tushi.
Profesor Tushi mendon se veç reagimit të institucioneve shtetërore nevojitet edhe një ndërgjegjësim i shoqërisë, që të mos nënvlerësojë, apo izolojë rastet për hir të të drejtave individuale të një personi, por t’i denoncojë ato për t’u ardhur në ndihmë në kohë.
“Na duhet të kemi një reagim qoftë si shtet, qoftë edhe nga pikëpamja kulturore dhe ideore e shoqërisë. Unë gjykoj që ndërkaq duhet të ketë edhe një reagim social, sepse për vetëvrasje të tilla edhe shoqëria qëndron më në periferi, ose interesohet më pak duke menduar se këto janë e drejta ekskluzive e individit që të jetë simpatizant dhe përkrahës i një riti të caktuar fetar, apo i një sekti të caktuar fetar duke u nisur nga parimi që jeta është private dhe trupi është privat dhe ai mund të bëjë ç’të dojë me të. Në të vërtetë, këtu sikurse dihet vetëvrasja është akti më i dënueshëm, i papranueshëm edhe nga Zoti. Madje, ata njerëz, sipas fesë, kur shkojnë në “botën e përtejme”, atje i pret ferri sepse kanë bërë një akt jo të drejtë. I kanë marrë jetën vetes, por jetën nuk ja kanë dhënë ata vetes, por Zoti. Në këtë kontekst ata duhet ta ruajnë atë deri në fund derisa të largohen në mënyrë dinjitoze”, shton ai më tej.
Tushi kërkon që në rastet kur vërhen mospërputhje të parimeve të sekteve fetare me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, autoritetet duhet të reagojnë menjëherë jo vetëm për të nxjerrë përgjegjësitë e duhura, por edhe për të ndaluar sektet që kultivojnë prirjet e vetëvrasjes.
“Reagimi dhe qëndrimi, unë mendoj se duhet të jetë intrasigjent dhe në këtë rast Qeveria dhe sidomos Komiteti i Kulteve duhet pa asnjë ngurrim të analizojë deri në fund rastin, të nxjerrë përgjegjësitë dhe sipas rastit të bëjë ndëshkimet e duhura, ndalesat e duhura për të mos lejuar ekzistencën e sekteve që kultivojnë këto prirje vetëvrasjeje”, deklaron për gazetën “Si”, sociologu, Gezim Tushi.
Dëshmitë dhe reagimet
Drejtori i Policisë së Tiranës deklaroi mbrëmjen e së enjtes se në vendngjarje grupi hetimor ka gjetur shënime të ndryshme me përmbajtje fetare. Ai tha se dy vajzat, 34 dhe 30 vjeç ishin me arsim të lartë, por të papuna, duke shtuar se paraprakisht janë gjetur shenja të mosushqyerjes.
Mbetet ende për t’u përcaktuar zyrtarisht se mosushqyerja ka qenë vullnetare dhe e nxitur nga besimi se do të ringjalleshin, apo për shkak të kushteve të vështira ekonomike e financiare në të cilën jetonte kjo familje. Nga dëshmitë e mbledhura nga të afërmit dhe fqinjët e viktimave peshorja e grupit hetimor anon deri më tani tek hipoteza e parë.
Ka qenë kunati i Zhaneta Josifit ai që ka deklaruar se 56-vjeçarja dhe dy vajzat e saj ishin praktikante në organizatën “Dëshmitarët e Jehovait”. Por, vetë organizata ka reaguar përmes një deklarate për shtyp, ku pasi shpreh keqardhjen për humbjen e jetës thotë se familja Josifi nuk ka qenë për asnjë moment pjesë e tyre.
“Është tejet shqetësues informacioni i përhapur se pjesëtarët e kësaj familjeje i përkitnin Organizatës Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri. Po informojmë mediat dhe publikun e gjerë, që po ndjek zhvillimin e këtyre ngjarjeve, se pjesëtarët e familjes Josifi, jo vetëm nuk kanë qenë pjesë e Organizatës sonë, por as nuk janë shoqëruar ndonjëherë me Dëshmitarët e Jehovait. Përpjekjet për të lidhur këtë ngjarje, apo çdo element tjetër të saj me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait janë krejtësisht të pabaza dhe madje fyese për besimin tonë”, thuhet në reagim.
Nga komunitetet fetare në Shqipëri ka reaguar Akil Pano, nga Kisha Ungjilli i Krishtit.
“Vetëvrasja, një mëkat i rëndë, i cili dhunon vullnetin e shprehur të Zotit mbi shenjtërinë e jetës. Përpjekje prej gnostiku (dhe jo besimtari) për një ikje nga dhimbja dhe barra e jetës, mbështetur mbi fatalitetin e dorëzimit jo në duart e Atij që mban universin, por mbi ‘fatin’ e verbër në padije që vret”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.